Last Updated on 04/06/2026 by EL
GJKKO i ka thyer SPAK-ut, dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, me kërkesën që prokurori Elvin Gokaj, të qartësojë akuzën që ka ngritur ndaj tij. Vendimi është dhënë këtë të enjtë nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila mësohet se i ka lënë afat kohor 2 javë organit të akuzës që të shpjegojë pse e ndryshoi veprën penale të Roshit nga “shkelje e barazisë në tendera” në “shpërdorim detyre”.
Kujtojmë se SPAK më herët kërkoi pushimin e 6 episodeve të shpërdorimit të detyrës për ish-kryebashkiakun për shkak të parashkrimit të veprës penale.
Hetimi ndaj tij erdhi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) për parregullsi në tendera gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.
Gjatë viteve 2013-2014, janë gjetur parregullsi në fushën e Urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën 33 milion lekë.
Sipas KLSH, Elvis Roshi bashkë me 10 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Kavajës, kanë shkaktuar një humbje prej 33 milion lekësh nga tenderat për rikonstruktimin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa prej rrugëve. Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Më 17 maj 2025, SPAK i sekuestroi celularin Roshit dhe ushtroi kontrolle personale nën dyshimin për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit, teksa bënte fushatë për kushëririn e tij Elton Roshi në Kavajë./et
