Presidenti i Iran, Masoud Pezeshkian, riafirmoi këtë të enjte në Gjenevë që Teherani mbetet kundër zhvillimit të armëve bërthamore, ndërsa rifilluan bisedimet indirekte me Shtetet e Bashkuara.
“Udhëheqësi Suprem tashmë ka thënë se ne nuk do të kemi asnjëherë armë bërthamore,” deklaroi Pezeshkian, duke iu referuar një dekreti fetar të hershëm të Ayatollah Ali Khamenei që ndalon zhvillimin e armëve bërthamore.
Pezeshkian foli para raundit të tretë të bisedimeve bërthamore me SHBA-në, e cila vazhdon ta akuzojë Teheranin për synime bërthamore.
Në Gjenevë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha se negociatat me SHBA-në do të fokusohen vetëm tek çështjet bërthamore dhe heqja e sanksioneve, duke theksuar se “pozicioni i Teheranit është i qartë”.
Ndërkohë, në Teheran disa qytetarë shprehën skepticizëm për rezultatet e bisedimeve me Uashingtonin. “Me shumë gjasa nuk do të kemi rezultat, sepse ata nuk do të ndalin armiqësinë e tyre, dhe as ne nuk jemi të gatshëm të heqim dorë nga idealet tona,” tha banori i Teheranit, Nikooparast.
Raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë, që nisi të enjten në mëngjes, do të shqyrtojë programin bërthamor të Iranit, ndërsa SHBA-ja ka urdhëruar një përforcim të madh ushtarak në Lindjen e Mesme, nën drejtimin e Donald Trump./mxh
