Vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) kanë nxjerrë deri tani 325 milionë fuçi naftë dhe produkte të naftës nga rezervat strategjike, ndërsa rreth 75 milionë fuçi mbeten për t’u liruar nga angazhimi i shpallur në mars.
Lajmi vjen një ditë pasi liderët e G7 ranë dakord të çlirojnë menjëherë 100 milionë fuçi naftë bruto dhe naftë diesel, në koordinim me IEA-n, pas presionit të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve europiane për të përdorur rezervat strategjike dhe për të lehtësuar shqetësimet mbi furnizimin.
Sipas IEA-së, rreth 325 milionë fuçi, ose më shumë se 80% e 400 milionë fuçive të premtuara fillimisht më 11 mars, janë nxjerrë tashmë në treg.
Megjithatë, G7 nuk ka sqaruar nëse 100 milionë fuçitë e njoftuara të premten përfshijnë edhe 75 milionë fuçitë e mbetura nga angazhimi i marsit, apo nëse bëhet fjalë për një sasi shtesë.
Administrata e Donald Trump ka ushtruar presion ndaj aleatëve për të nxjerrë në treg rezervat e dieselit, në përpjekje për të frenuar rritjen e çmimeve të karburantit, e cila po ndihet në Shtetet e Bashkuara dhe në tregje të tjera.
Furnizimi me diesel është goditur nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, ndërsa Irani ka kufizuar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të sulmeve amerikane dhe izraelite.
Në të njëjtën kohë, tregu është ndikuar edhe nga sulmet e Ukrainës ndaj rafinerive ruse, ndërsa Kievi vijon të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve të Moskës./mxh
