Gjermania shënon sot 36-vjetorin e ribashkimit, një proces historik që i dha fund 41 viteve të ndarjes mes Gjermanisë Perëndimore dhe asaj Lindore. Më 3 tetor 1990, ish-Republika Demokratike Gjermane (RDGJ) iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë, duke rikthyer Berlinin si kryeqytetin e një Gjermanie të bashkuar.
Në Brandenburg, kreu i CDU-së në parlamentin e landit, Steeven Bretz, nderoi ish-kancelarin Helmut Kohl në urën Glienicke në Potsdam, aty ku dikur kalonte kufiri. Kohl, i cili drejtoi Gjermaninë nga viti 1982 deri në 1998, konsiderohet “kancelari i bashkimit”. Në një fjalim televiziv më 2 tetor 1990, ai deklaronte se pas më shumë se 40 vitesh ndarje, Gjermania po ribashkohej.
Ura Glienicke, që lidh Berlinin me Potsdamin, u shkatërrua në vitin e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe u rindërtua në vitin 1949 me emrin “Ura e Bashkimit”. Gjatë Luftës së Ftohtë u bë e njohur si vendi ku zhvilloheshin shkëmbime ndërkombëtare agjentësh.
Sa e bashkuar është Gjermania sot?
Edhe pse dallimet mes Lindjes dhe Perëndimit janë zvogëluar në shumë fusha, pasojat ekonomike dhe sociale të ndarjes vazhdojnë të jenë të dukshme. Raporti i vitit 2026 i Komisionerit të Qeverisë Federale për Gjermaninë Lindore konstaton se banorët e dy pjesëve të vendit i vlerësojnë kushtet e jetesës në mënyrë gjithnjë e më të ngjashme.
Megjithatë, gjermanolindorët vazhdojnë të jenë më pak të përfaqësuar në pozicionet drejtuese të institucioneve më të larta federale. Pjesëmarrja e tyre është rritur nga 13.9% në vitin 2022 në 16.3% në vitin 2026.
Dallimi është edhe më i madh sa i përket trashëgimive dhe dhurimeve. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2025, rreth 95% e vlerës totale të pasurive të transferuara dhe të tatueshme i përkiste Gjermanisë Perëndimore.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre diferencave lidhet me tronditjen ekonomike që pasoi ribashkimin. Sipas një studimi të Rockwool Foundation Berlin, vetëm 17% e qytetarëve të ish-RDGJ-së ruajtën vendin e tyre të punës pas ndryshimit të sistemit. Shumë kompani në ish-Gjermaninë Lindore humbën tregjet e tyre ose u mbyllën gjatë viteve ’90, ndërsa një numër i madh të rinjsh dhe profesionistësh të kualifikuar u zhvendosën drejt Perëndimit.
Pasojat e kësaj lëvizjeje vazhdojnë të ndihen edhe sot. Disa rajone të Gjermanisë Lindore përballen me mungesë të popullsisë dhe me një numër më të ulët të selive të kompanive të mëdha. Qeveria federale po përpiqet të ngushtojë këto diferenca përmes politikave dhe fondeve të orientuara drejt rajoneve ekonomikisht më të dobëta.
Pse u nda Gjermania?
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania e mundur u nda nga katër fuqitë fituese, SHBA, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe Franca, në katër zona pushtimi.
Me fillimin e Luftës së Ftohtë, mosmarrëveshjet për të ardhmen politike dhe ekonomike të vendit u thelluan. Në vitin 1949 u krijuan Republika Federale e Gjermanisë në Perëndim dhe Republika Demokratike Gjermane në Lindje.
Të dyja shtetet fituan sovranitet në vitin 1955, Gjermania Perëndimore nga aleatët dhe Gjermania Lindore nga Bashkimi Sovjetik. Megjithatë, fuqitë e huaja ruajtën disa të drejta të veçanta. Kushtet ndërkombëtare për ribashkimin u përcaktuan përmes Traktatit “Dy Plus Katër”, të nënshkruar nga dy Gjermanitë dhe katër fuqitë fituese. Në këtë kuadër, Gjermania e bashkuar njohu vijën Oder-Neisse si kufirin me Poloninë.
Pse 3 tetori dhe jo 9 nëntori?
Rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 ishte momenti simbolik i fundit të ndarjes, ndaj kjo datë u diskutua fillimisht si një mundësi për festën kombëtare. Por 9 nëntori lidhej gjithashtu me “Natën e Kristaleve” të vitit 1938, pogromin kundër hebrenjve në Gjermaninë naziste, ndaj u zgjodh një datë tjetër.
Më 31 gusht 1990, ministri i Brendshëm i Gjermanisë Perëndimore, Wolfgang Schäuble, dhe sekretari i Shtetit i Gjermanisë Lindore, Günther Krause, të dy nga CDU, nënshkruan Traktatin e Bashkimit. Ai përcaktoi 3 tetorin 1990 si “Ditën e Bashkimit Gjerman” dhe festë zyrtare kombëtare.
Kjo datë zëvendësoi 17 qershorin, ditën që përkujtonte kryengritjen popullore të vitit 1953 në Gjermaninë Lindore, e cila mbetet ende një ditë kombëtare përkujtimore./mxh
