Një fotografi e re e publikuar në kuadër të dokumenteve të Departamentit Amerikan të Drejtësisë për çështjen e Jeffrey Epstein ka rikthyer sërish në vëmendje lidhjet e miliarderit të dënuar me figura të njohura publike.
Mes miliona faqeve materialesh të deklasifikuara, është zbuluar një foto ku shfaqen Jeffrey Epstein, Princ Andrew dhe politikani britanik Peter Mandelson. Në imazh, Andrew dhe Mandelson duken të veshur me rroba banje të bardha, ndërsa Epstein mban një këmishë të errët të kombinuar me pantallona të bardha.
Të tre janë të ulur rreth një tavoline druri në një verandë, ku përpara tyre shihen edhe filxhanë me flamurin amerikan. Dokumentet e publikuara nuk japin detaje të sakta për kohën apo vendin ku është realizuar fotografia.
Megjithatë, televizioni britanik ITV raportoi se fotoja dyshohet të jetë realizuar në Martha’s Vineyard, një ishull në shtetin amerikan të Massachusetts, i njohur si një destinacion i frekuentuar për pushime nga figura të njohura.
Si Princ Andrew ashtu edhe Peter Mandelson janë marrë në pyetje në raste të ndara në lidhje me marrëdhëniet e tyre me Epstein, nën dyshimet për shkelje të detyrës. Deri më tani, të dy janë lënë të lirë ndërsa hetimet përkatëse vijojnë.
Princi Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme që lidhen me Epstein. Nga ana tjetër, Mandelson ka deklaruar se beson se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.
Sipas BBC, politikani britanik ka pohuar më herët se në atë kohë kishte besuar versionin e ngjarjeve të paraqitur nga Epstein dhe avokati i tij, duke thënë se realitetin e plotë e kuptoi vetëm pas vetëvrasjes së miliarderit në vitin 2019.
Lidhjet me Epstein kanë pasur pasoja edhe në karrierën e tyre publike. Princ Andrew u detyrua të heqë dorë nga titujt e tij mbretërorë, ndërsa Mandelson humbi postin e ambasadorit vetëm pak muaj pasi ishte emëruar.
Në dokumentet e publikuara përfshihen edhe fotografi të tjera ku shfaqet Andrew. Në një prej tyre, ai duket i gjunjëzuar pranë një gruaje që ndodhet e shtrirë në tokë, një imazh që ka nxitur reagime dhe diskutime të reja rreth kësaj çështjeje./mxh
