Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka dalë me një reagim pas një denoncimi në rrjetet sociale për sjelljen e një infermiereje ndaj pacientëve brenda repartit të psikiatrisë.
Infermierja i drejtohet pacientes që refuzon të marrë ilaccet, me një gjuhë fyese dhe shprehje ofenduese.
Në reagimin e QSUNT-së thuhet se ky është një rast i papranueshëm i cënimit të etikës profesionale. Ndër të tjera thuhet se punonjësja është identifikuar dhe ndaj saj janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore
Reagimi i plotë:
QSUT ka ndjekur me shqetësim videon e publikuar në mediat online, ku shfaqet një rast i papranueshëm i cënimit të etikës profesionale në një prej shërbimeve mjekësore.
Menjëherë pas verifikimeve të kryera, është identifikuar punonjësja e përfshirë dhe janë nisur procedurat për marrjen e masave administrative dhe disiplinore, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
QSUT mbetet e angazhuar maksimalisht për të garantuar kujdes shëndetësor dinjitoz, profesional dhe etik për çdo pacient që paraqitet në shërbimet tona.
Çdo shkelje e kodit të etikës, çdo sjellje që cenon dinjitetin e pacientit apo besimin ndaj shërbimit shëndetësor, është dhe do të mbetet e patolerueshme./mxh
