Ndërkohë që shqetësimet për një rritje të inflacionit ngelen të larta, inflacioni bazë pësoi rënie në muajin mars.
Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë zbriti në 2.72%, nga 3.06% që kishte qenë një muaj më parë. Megjithatë, inflacioni bazë ngelet në rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur shënonte nivelin 2.5%.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë, rritja e qirasë përbën burimin kryesor të presioneve të brendshme inflacioniste dhe faktorin më përcaktues që ka sjellë rritjen e inflacionit bazë. Rënia e muajit mars, me shumë të ngjarë, duket se i detyrohet efektit të bazës krahasuese dhe mbylljes së një cikli vjetor të rritjes së çmimeve të qirave.
Megjithatë, inflacioni bazë ngelet ende sipër nivelit të inflacionit total në ekonomi, që për marsin, sipas shifrave të INSTAT, arriti në 2.6%.
Nënshporta që mat inflacionin bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Inflacioni bazë përjashton produktet që nga natyra kanë luhatshmëri të lartë, si ato ushqimore dhe energjetike. Llogaritja e inflacionit bazë ka si qëllim kryesor ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Inflacioni bazë është një indikator i rëndësishëm për të kuptuar tendencat më afatgjata të çmimeve dhe ndaj monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë.
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto pësoi një rënie të lehtë.
Për marsin, ky tregues zbriti në nivelin në 3.37%, nga 3.59% që kishte qenë në shkurt, por në rritje nga niveli prej 2.26% i një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 49% të shportës së IÇK-së.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike në mars 2026 zbriti në nivelin 3.28%, nga 3.44% që kishte qenë në shkurt dhe 2.17% që kishte qenë një vit më parë.
Për momentin, treguesit e inflacionit më afatgjatë kanë shënuar një frenim, por, megjithatë, një valë e re inflacioniste e përcjellë nga ekonomia botërore do të përcillej gradualisht në shumicën e produkteve dhe shërbimeve, qoftë edhe ato ku çmimet kanë një natyrë më pak të luhatshme në afat të shkurtër./monitor.al
