Këngëtarja shqiptare Inis Neziri është ftuar zyrtarisht të garojë për të përfaqësuar San Marino në Eurovision Song Contest 2026, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj artistike.
Sot, Inisi ka publikuar këngën “In My Head”, me të cilën do të garojë në festivalin kombëtar të San Marinos, Una Voce per San Marino, që përzgjedh përfaqësuesin e shtetit në Eurosong.
E lindur më 12 janar 2001, Inis Neziri konsiderohet si një nga zërat më të veçantë të gjeneratës së saj dhe është vlerësuar gjerësisht për performancat e saj të fuqishme live. Rrugëtimi i saj artistik ka nisur që në moshën 12-vjeçare, ndërsa publiku shqiptar e mban mend si “Inisi i Gjeniut”, ku fitoi çmimin e parë në edicionin e pestë të spektaklit Gjeniu i Vogël.
Karriera e saj në festivalet shqiptare ka qenë e suksesshme. Ajo është vlerësuar me çmimin e tretë në edicionin e 56-të të Festivali i Këngës me këngën “Piedestal”, si dhe u rikthye fuqishëm në edicionin e 59-të me këngën “Pendesë”, një prej krijimeve më të pëlqyera të atij viti. Së fundmi, ajo u rendit në vendin e dytë në edicionin e 64-t të Festivalit të Këngës, duke konfirmuar edhe një herë potencialin e saj të jashtëzakonshëm vokal.
Ftesa për të garuar për San Marinon në Eurosong 2026 shënon një moment historik për artisten, e cila tashmë synon të çojë zërin dhe talentin e saj në një nga skenat më të mëdha muzikore në Evropë./mxh
