Last Updated on 08/10/2026 by Anisa
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, priti në një takim pune Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Michel Tarran.
Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me Prezencën e OSBE-së gjatë viteve të fundit, projektet në proces, si dhe nismat dhe projektet e parashikuara për të ardhmen.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua zhvillimeve të fundit në sistemin e drejtësisë, si dhe çështjeve që lidhen me veprimtarinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në këtë kuadër, u theksua roli i ILD-së në garantimin e llogaridhënies në sistemin gjyqësor, përfshirë trajtimin e ankesave dhe procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në takim u diskutua gjithashtu mbi rëndësinë e respektimit të procesit të rregullt ligjor, garantimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe sigurimit të një qasjeje të qëndrueshme dhe konsistente në ushtrimin e përgjegjësive institucionale.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, dhe Ambasadori Michel Tarran shkëmbyen pikëpamje edhe mbi zhvillimet që lidhen me dhënien efektive të drejtësisë dhe forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë.
Të dy bashkëbiseduesit bashkëndanë nevojën dhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të mbështetjes së vazhdueshme për forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe standardeve të shtetit të së drejtës./ad
