Pas një dekade me të njëjtën identitet vizual, Instagram ka vendosur të bëjë një ndryshim. Platforma e Meta-s ka prezantuar një version të ri të wordmark-ut, duke i dhënë emrit një pamje më të pastër dhe moderne.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Instagram-it, Adam Mosseri, i cili tha se dizajni i mëparshëm kishte mbetur i pandryshuar për rreth 10 vjet. Sipas tij, versioni i ri synon të ruajë karakterin kreativ të platformës, por me një stil më të rafinuar.
Ndërkohë, ikona karakteristike e Instagram-it nuk ka pësuar ndryshime dhe vijon të mbetet me dizajnin shumëngjyrësh të kamerës.
Por ndryshimi nuk u prit vetëm me entuziazëm. Në rrjetet sociale, përdoruesit nisën të komentojnë formën e re të shkronjave, duke pretenduar se disa prej tyre janë të vështira për t’u lexuar. Madje, disa e kanë ironizuar logon, duke thënë se fjala “Instagram” tani mund të lexohet në mënyra krejt të tjera.
Kritikat nuk u ndalën vetëm te dizajni. Shumë përdorues shfrytëzuan ndryshimin për t’i kërkuar Instagram-it të fokusohet më shumë te problemet e platformës, si llogaritë false, përmbajtja e krijuar nga AI dhe mbyllja e profileve pa shpjegime të qarta.
Edhe krijues të mëdhenj të përmbajtjes i kanë bërë thirrje drejtuesve të platformës që, përtej ndryshimeve estetike, të përqendrohen te mbështetja e creatorëve dhe problemet që po përballen çdo ditë me llogaritë e tyre./mxh
