Një pjesë e rëndësishme e koleksionit të vjedhur nga një bibliotekë në São Paulo është rikthyer në duart e autoriteteve braziliane. Tetë vepra të Henri Matisse, pjesë e albumit të tij të famshëm “Jazz”, u zbuluan gjatë një operacioni policor në një banesë në São Bernardo do Campo.
Pamjet e publikuara nga policia tregojnë veprat e artit të vendosura mbi një shtrat. Ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen ishte fakti se mes punimeve ndodhej edhe një revolver, duke treguar kushtet në të cilat dyshohet se ruheshin veprat e grabitura.
Punimet, të vlerësuara në rreth 200 mijë dollarë, ishin marrë gjatë një grabitjeje të armatosur më 7 dhjetor 2025. Dy persona kishin hyrë në bibliotekën Mario de Andrade dhe, pasi neutralizuan rojën e sigurisë dhe dy vizitorë, morën gjithsej 13 vepra arti.
Përveç tetë punimeve të Matisse, në shënjestër të grabitësve kishin qenë edhe pesë vepra të artistit brazilian Cândido Portinari. Këto të fundit ende nuk janë gjetur dhe hetuesit dyshojnë se mund të kenë përfunduar në tregun e zi.
Në lidhje me operacionin e fundit, një burrë u arrestua për posedim të veprave të vjedhura dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa një grua po hetohet për përfshirjen e saj të dyshuar në grabitje.
Policia braziliane beson se pas vjedhjes fshihet një grup i organizuar, ku secili anëtar kishte një rol të përcaktuar, nga realizimi i grabitjes deri te fshehja dhe shitja e veprave.
Hetimi ka çuar më herët edhe në arrestimin e personit të dyshuar si organizatori kryesor, ndërsa autoritetet kanë kryer kontrolle në disa pika të lidhura me ankandet dhe tregtinë e artit.
Veprat e rikuperuara janë pjesë e “Jazz”, një prej projekteve më të njohura të Matisse, botuar në vitin 1947. Koleksioni konsiderohet mjaft i rrallë, pasi në qarkullim mendohet se ekzistojnë vetëm rreth 300 kopje të albumit./mxh
