Last Updated on 02/06/2026 by EL
Popullsia e Shqipërisë po vijon tendencën tkurrëse pa kthim, e ndikuar nga si nga rënia e lindjeve, ashtu dhe nga emigracioni, kur rreth 28.5 mijë shtetas kanë ikur në 2025-n, duke zbritur ata që janë kthyer.
Sipas INSTAT, popullsia e Shqipërisë më 1 Janar 2026 rezulton 2.335.930 banorë, duke pësuar rënie me 1,16%, krahasuar me 1 Janar 2025.
Raporti gjinor në lindje mbeti pothuajse i njëjtë me vitin paraardhës duke rezultuar me 107,9 meshkuj për 100 femra gjatë vitit 2025. Përllogaritjet e popullsisë më 1 Janar 2026 tregojnë se vetëm qarku i Tiranës shënoi rritje të popullsisë, krahasuar me një vit më parë me 0,7%.
Uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet: Kukës (-2,59%) dhe Shkodër (-2,56%). Tirana, Fieri, Elbasani dhe Durrësi kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej.
Më 1 Janar 2026, Tirana zë rreth 32,8 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë qarku më i populluar i vendit, ndjekur nga Fieri, Elbasani dhe Durrësi me nga 9,7%, 9,5% dhe 9,4% përkatësisht, raporton Monitor.al.
Të dhënat e INSTAT tregojnë dhe për një plakje të vazhdueshme të popullsisë. Mosha mediane (që ndaj popullsinë përgjysmë) arriti në 45 vjeç në fillin të 2026-a, nga 44.3 vjeç në fund të 2025-s, duke iu afruar gjithnjë e më shumë mesatares europiane./ET
