Kryeministri Edi Rama ka informuar këtë të premte përmes një postimi se punimet në kantierin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, po ecin përpara.
Sipas tij, ky institucion pritet të vihet në funksionim brenda vitit të ardhshëm dhe përfaqëson një investim madhor për t’u dhënë një mundësi të dytë të miturve në konflikt me ligjin.
“Kantieri i Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, Tiranë, ku punimet vijojnë dhe brenda vitit 2026 pritet ta vëmë në funksionim.
Ky është një investim madhor për t’u dhënë një shans të dytë të miturve në konflikt me ligjin”, shkruan Rama krahas videos.
Instituti do të përbëhet nga shtatë objekte multidisiplinare që do të ofrojnë shërbime të specializuara, duke shërbyer si një pikë orientimi dhe mbështetjeje për të gjithë zinxhirin ndërinstitucional të drejtësisë për të mitur.
Në këto struktura do të zhvillohen programe të posaçme për çdo tipologji vepre penale dhe për çdo rast specifik të të miturve që shkelin ligjin./K.M
