Pavarësisht investimeve miliarda dollarëshe në Inteligjencën Artificiale, përfitimet financiare të kësaj teknologjie vijojnë të përqendrohen kryesisht te gjigantët e teknologjisë. Një analizë e re nga Apollo Global Management tregon se kompanitë e sektorëve të tjerë në SHBA ende nuk kanë regjistruar përmirësime të ndjeshme në të ardhura, fitime apo produktivitet si rezultat i përdorimit të saj.
Torsten Slok, partner dhe kryeekonomist i Apollo Global Management, një prej kompanive më të mëdha të investimeve në botë, thekson se kompani si Nvidia dhe Meta vazhdojnë të regjistrojnë rritje të fortë të të ardhurave, të nxitura nga investimet masive në Inteligjencën Artificiale. Megjithatë, kjo rritje nuk po reflektohet në pjesën tjetër të ekonomisë amerikane.
Sipas Slok, kompanitë e mëdha amerikane jashtë sektorit teknologjik po i konsiderojnë gjithnjë e më shumë shpenzimet për mjetet e Inteligjencës Artificiale si një kosto që rëndon mbi marzhet e fitimit, në vend që të shërbejnë si burim i ri rritjeje ekonomike.
Raporti analizon disa tregues që nxjerrin në pah diferencën mes kompanive teknologjike dhe bizneseve të tjera të përfshira në indeksin S&P 500.
Që nga viti 2022, të ardhurat për punonjës në kompanitë teknologjike janë rritur nga 550 mijë dollarë në rreth 800 mijë dollarë. Ndërkohë, për kompanitë e tjera të indeksit S&P 500, ky tregues ka mbetur pothuajse i pandryshuar, në rreth 550 mijë dollarë gjatë shtatë viteve të fundit.
Një diferencë e ngjashme vërehet edhe te marzhet e fitimit. Ndërsa kompanitë teknologjike kanë regjistruar përmirësime të dukshme që nga viti 2022, bizneset e sektorëve të tjerë kanë ruajtur marzhe relativisht të qëndrueshme, rreth nivelit 10%.
Edhe në nivelin e përgjithshëm të ekonomisë amerikane, rritja e madhe e produktivitetit që pritej nga përhapja e Inteligjencës Artificiale ende nuk është materializuar në mënyrë të dukshme.
Këto të dhëna ngrenë pikëpyetje mbi kthimin financiar të investimeve të mëdha që bizneset po kryejnë në teknologjitë e Inteligjencës Artificiale, veçanërisht në një kohë kur drejtuesit e industrisë premtojnë një epokë të re produktiviteti dhe efikasiteti.
Sipas Slok, pyetja kryesore është nëse kompanitë amerikane do të arrijnë ta shndërrojnë aksesin gjithnjë e më të lehtë dhe koston në rënie të Inteligjencës Artificiale në rritje konkrete të të ardhurave dhe fitimeve.
Analiza sugjeron se përhapja e Inteligjencës Artificiale në biznes nuk përkthehet automatikisht në rezultate më të mira financiare, duke treguar se sfida e ardhshme për kompanitë do të jetë shndërrimi i investimeve teknologjike në vlerë reale ekonomike./ Bussines Magazine -ad
