Last Updated on 24/07/2026 by Anisa
Bizneset në Shqipëri kanë patur një ecuri pozitive të aktivitetit të tyre ekonomik dhe administrativ përgjatë 6-mujorit të parë të 2026-ës.
Referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, janë regjistruar 11,567 subjekte të reja (806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje).
Sipas QKB-së, struktura e regjistrimeve vijon të dominohet nga personat fizikë me 8,757 regjistrime ose 75.7% të totalit, ndjekur nga Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK) me 2,775 regjistrime.
Ndërsa sipas pronësisë, subjektet me kapital 100% shqiptar, mbeten mbizotërues me 10,179 regjistrime, regjistrimet e bizneseve me kapital 100% të huaj u rritën ndjeshëm me 35.7%, duke arritur në 1,240 subjekte, tregues i rritjes së interesit të investitorëve të huaj për ekonominë.
Sipas zonave gjeografike, Qarku Tiranë vijon të kryesojë me 6,039 regjistrime për vitin 2026 ose 52.2% të totalit, i ndjekur nga Vlora me 1,347 dhe Durrësi me 1,310 regjistrime.
QKB në raportin më të fundit, nënvizon se rritje të konsiderueshme u evidentuan edhe në qarqet në veri të vendit Shkodër, Lezhë, Dibër e Kukës.
Tregtia me shumicë dhe pakicë, mbetet më i preferuari për regjistrimin e bizneseve të reja, me 2,771 subjekte, i ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet profesionale, transporti dhe informacioni e komunikacioni.
Rritje të forta në 6-mujorin e parë të 2026-ës, janë shënuar edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme përkatësisht me +35.8% dhe transporti e magazinimi me +26.3%.
QKB, PERIUDHA JANAR-QERSHOR 2026
11,567 subjekte të reja ose 7.5% krahasuar me 2025
Personat fizikë me 8,757 regjistrime
Shoqëritë me Përgjegjësi të Kufizuar me 2,775 regjistrime
Me kapital 100% shqiptar me 10,179 regjistrime
Biznese me kapital 100% të huaj 1,240 subjekte
QKB, SUBJEKTET SIPAS QARQEVE
Qarku Tiranë me 6,039 regjistrime
Qarku Vlorë me 1,347 regjistrime
Qarku Durrës me 1,310 regjistrime
