Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi këtë të mërkurë, më 11 shkurt, se Teherani është i gatshëm të pranojë çdo verifikim ndërkombëtar për programin e tij bërthamor, me qëllim që të provojë se Republika Islamike nuk synon të prodhojë armë atomike.
Duke folur në Sheshin “Azadi” në Teheran, me rastin e 47-vjetorit të Revolucionit Islamik, Pezeshkian theksoi se Irani nuk kërkon armë bërthamore dhe se këtë qëndrim e ka shprehur vazhdimisht. “Ne nuk po kërkojmë armë bërthamore. E kemi deklaruar këtë herë pas here dhe jemi të gatshëm për çdo lloj verifikimi,” u shpreh ai.
Megjithatë, presidenti iranian theksoi se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet asaj që e cilësoi si kërkesa të tepruara nga Perëndimi, ndërsa vijojnë bisedimet me Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore që zgjat prej dekadash.
Teherani ka përjashtuar kërkesën e Uashingtonit për përfshirjen e programit iranian të raketave balistike në negociata. Pezeshkian akuzoi SHBA-në dhe Europën se kanë krijuar një “mur të lartë mosbesimi” përmes deklaratave dhe klimës së krijuar rreth programit bërthamor iranian, duke vështirësuar arritjen e një marrëveshjeje.
Shtetet e Bashkuara, aleatët europianë dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se synon të pajiset me armë bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij ka vetëm qëllime paqësore.
“ Irani ynë nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të tyre të tepruara. Nuk do të tërhiqet përballë padrejtësisë dhe agresionit,” deklaroi Pezeshkian, duke shtuar se vendi i tij po zhvillon bisedime me vendet fqinje për të nxitur paqen dhe stabilitetin në rajon./mxh
