Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka reaguar ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për të vendosur kufizime të reja mbi rolin e Rusisë dhe vendeve të tjera në industrinë e naftës së Venezuelës, duke e cilësuar këtë veprim si diskriminim të hapur.
Sipas Lavrov, ndërsa Uashingtoni ka lehtësuar disa kufizime për sektorin venezuelian të naftës dhe gazit, një vendim i Sekretarit amerikan të Thesarit ndalon Rusinë, Kinën dhe Iranin të përfshihen në prodhimin apo shitjen e naftës në Venezuelë. Ai theksoi se këto vende kanë investime të konsiderueshme në sektorin energjetik të këtij shteti.
Kremlini bëri të ditur se Moska do të kërkojë sqarime nga autoritetet amerikane lidhur me masat e reja. Duke folur gjatë një seance në Duma, Lavrov u shpreh se Rusia është në kontakt me Uashingtonin dhe synon bashkëpunim mbi bazën e respektit të ndërsjellë, “pa idenë e dominimit”.
Zhvillimi vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara po përpiqen të riorganizojnë qasjen ndaj industrisë energjetike të Venezuelës, ndërsa tensionet me Moskën mbeten të larta në disa fronte ndërkombëtare./mxh
