Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se një pjesë e madhe e çështjeve në negociatat ndërkombëtare janë afruar drejt një përfundimi, por theksoi se ende nuk mund të flitet për një marrëveshje të afërt.
Në një konferencë për shtyp, Baghaei tha se politika dhe vendimmarrja në Shtetet e Bashkuara mbeten të paqëndrueshme, çka sipas tij po ndikon në ecurinë e bisedimeve.
Ai shtoi se aktualisht fokusi i negociatave është ndalimi i luftës, ndërsa çështjet teknike të programit bërthamor nuk janë në qendër të diskutimeve në këtë fazë.
Sipas tij, çdo marrëveshje e mundshme do të përfshijë një memorandum mirëkuptimi me disa pika, i cili synon uljen e tensioneve dhe garantimin e sigurisë në rajon.
Zëdhënësi iranian theksoi gjithashtu se çështjet që lidhen me Ngushticën e Hormuzit duhet të trajtohen nga shtetet bregdetare të saj, duke përjashtuar idenë e tarifave apo “taksave” për kalimin detar.
Ai shtoi se shërbimet dhe masat për sigurinë dhe mbrojtjen mjedisore në këtë zonë strategjike përfshijnë kosto që duhet të mbulohen, por jo në formën e tarifave doganore.
Baghaei bëri të ditur gjithashtu se aktualisht nuk janë planifikuar vizita të reja diplomatike mes Teheranit dhe Islamabadit, megjithëse kontakte të tilla mbeten të mundshme në të ardhmen nëse lind nevoja.
Deklaratat vijnë në një moment kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve, ndërsa palët kanë zbutur pritshmëritë për një marrëveshje të shpejtë./mxh
