Teherani ka shpallur forcat detare dhe ajrore të Argjentinës si “organizata terroriste”, tha të mërkurën Ministria e Jashtme e Iranit, në një veprim reciprok pas shpalljes nga Buenos Aires të Gardës Revolucionare Islamike si një entitet terrorist në prill.
Argjentina e kishte shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit si një organizatë terroriste, pas një presioni nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump që aleatët ta bënin këtë.
Ministria e Jashtme e Iranit tha në një deklaratë të mërkurën se Teherani i konsideron forcat ajrore dhe marinën argjentinase organizata terroriste “bazuar në parimin e reciprocitetit”.
“Është e qartë se përgjegjësia për të gjitha pasojat që rrjedhin nga kjo çështje do të bjerë mbi qeverinë argjentinase”, shtoi ministria, pa dhënë hollësi. Ajo nuk përmendi ushtrinë e Argjentinës.
Argjentina tha në prill se masa që mori kundër IRGC-së së Iranit ishte për shkak të mbështetjes së saj për Hezbollahun me bazë në Liban, të cilin Buenos Aires e fajëson për bombardimin më vdekjeprurës në historinë e kombit të Amerikës së Jugut, një sulm i vitit 1994 në qendrën e komunitetit hebre AMIA në kryeqytetin argjentinas që vrau 85 persona dhe plagosi qindra të tjerë.
IRGC është një forcë ushtarake elitare që mbron sundimin klerikal shiit mysliman në Iran dhe kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë së Iranit./ad
