Last Updated on 26/11/2026 by EL
Tensionet ushtarake në Gjirin Persik janë përshkallëzuar më tej, pasi Kuvajti është përballur me një sulm me dronë iranianë. Ushtria kuvajtiane njoftoi se kishte zbuluar dhe interceptuar disa mjete ajrore të cilësuara si armiqësore në hapësirën ajrore të vendit.
Nga incidenti janë raportuar 2 persona të vdekur dhe 2 të tjerë të plagosur. Sipas Reuters, viktimat janë dy teknikë italianë, të punësuar nga kompania gjermane e mbrojtjes Rheinmetall.
Sulmi ka shkaktuar gjithashtu ndërprerje në trafikun ajror ndërkombëtar. Avionët që udhëtonin në korridorin kryesor mes Evropës, Gjirit Persik dhe Azisë, duke kaluar përmes Irakut drejt vendeve të Gjirit, janë detyruar të ndryshojnë itinerarin.
Sipas Euronews, fluturimet janë orientuar drejt jugut për të shmangur hapësirën ajrore të Kuvajtit. Mes avionëve të prekur ishte edhe një fluturim me gazetarë të Euronews në bord. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet e fundit shtojnë rrezikun për sigurinë e transportit ajror dhe infrastrukturës në rajonin e Gjirit.
Ndërkohë, Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite lëshoi një alarm për rrezik të mundshëm në rajonin Jizan, në jugperëndim të vendit, pranë kufirit me Jemenin. Autoritetet saudite nuk specifikuan në njoftim natyrën e kërcënimit.
Sulmi ndaj Kuvajtit vjen vetëm një ditë pasi Ambasada Virtuale e Shteteve të Bashkuara në Iran paralajmëroi se Teherani, forcat Houthi të Jemenit dhe grupet e tjera aleate mund të shënjestrojnë interesat dhe qytetarët amerikanë në rajon, përfshirë kompanitë dhe institucionet.
Uashingtoni u kërkoi shtetasve amerikanë në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar, pas sulmeve iraniane ndaj objektivave amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, si dhe goditjes së një kulle në distriktin financiar të Riadit nga forcat Houthi, ku mbetën të plagosur 11 persona.
Autoritetet amerikane paralajmëruan qytetarët të ndjekin njoftimet e kompanive ajrore dhe aeroporteve, si dhe të përgatiten për anulime fluturimesh dhe mbyllje të mundshme të hapësirave ajrore./et
