Të paktën pesë anije kanë kaluar gjatë 24 orëve të fundit përmes Ngushticës së Hormuzit, sipas të dhënave të navigacionit detar, në një zhvillim që sinjalizon lëvizje të kujdesshme drejt rifillimit të qarkullimit në këtë pikë kyçe të tregtisë globale të energjisë.
Mes anijeve që përshkuan ngushticën ishin tre cisterna nafte nën menaxhim të Omanit, një anije franceze transporti kontejnerësh dhe një anije japoneze për gaz të lëngshëm natyror (LNG).
Ky zhvillim lidhet me politikën e Iranit, i cili ka deklaruar se do të lejojë kalimin vetëm të anijeve nga vende që i konsideron “jo armiqësore”. Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit në fund të shkurtit, pas nisjes së sulmeve nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit, duke paralizuar plotësisht trafikun detar në zonë.
Tregjet globale të naftës dhe mallrave po ndjekin nga afër çdo sinjal për rikthimin e normalitetit në këtë korridor strategjik, pasi bllokimi i mëparshëm kishte ngrirë pothuajse tërësisht lundrimin. Edhe pse disa anije arritën të largoheshin në javët e para të krizës, më pas qarkullimi u ndërpre plotësisht.
Një anije kontejnerësh e kompanisë franceze CMA CGM kaloi ngushticën të enjten, në të njëjtën ditë kur presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se vetëm përpjekjet diplomatike dhe jo ndërhyrjet ushtarake mund të çojnë në rihapjen e Hormuzit. Para hyrjes në ujërat iraniane, anija kishte ndryshuar destinacionin në sistemin AIS në “Owner France”, për të sinjalizuar kombësinë e saj.
Sipas të dhënave, disa nga anijet çaktivizuan sinjalet e tyre të identifikimit gjatë kalimit, pasi u zhdukën nga radarët e monitorimit.
Ndërkohë, dy supercisterna dhe një anije LNG nën menaxhimin e kompanisë Oman Shipping Company dolën nga Gjiri po të enjten. Kompania japoneze Mitsui O.S.K. Lines konfirmoi se tankeri LNG “Sohar”, në bashkëpronësi të saj, ka kaluar ngushticën, duke u bërë anija e parë japoneze dhe e para e këtij lloji që largohet nga zona që prej nisjes së konfliktit. Anija ishte pa ngarkesë në momentin e kalimit.
Megjithatë, situata mbetet e tensionuar: deri mëngjesin e sotëm, rreth 45 anije në pronësi ose menaxhim japonez vijojnë të jenë të bllokuara në rajon, sipas autoriteteve japoneze.
Ndër anijet që arritën të largohen më herët ishte edhe një tanker LPG i kompanisë Mitsui, me flamur indian, si dhe një anije e madhe transporti gazi me flamur panamez, e cila kishte si destinacion Kinën./mxh
