Last Updated on 25/09/2026 by Anisa
Deputetja Iris Luarasi ka reaguar lidhur me deklaratën e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj gazetares Klodiana Lala, duke e cilësuar atë si të papranueshme.
Luarasi shprehet se gazetarja po bënte një pyetje me interes publik dhe se, në vend të një përgjigjeje, mori insinuata që, sipas saj, dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë personale të gazetares.
“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GjKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale.
Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares. I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj.
Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, shkruan Luarasi.
