Një ish-zyrtar i lartë i qeverisë amerikane është arrestuar nga FBI pasi në shtëpinë e tij në Virxhinia u zbuluan qindra shufra ari me vlerë mbi 40 milionë dollarë, si dhe miliona dollarë cash dhe dhjetëra ora luksoze.
Sipas dokumenteve gjyqësore, David Rush akuzohet për vjedhje të parave publike dhe mashtrim ndaj institucioneve shtetërore amerikane. Hetuesit thanë se gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan 303 shufra ari, secila me peshë rreth një kilogram, me një vlerë totale që tejkalon 40 milionë dollarë bazuar në çmimin aktual të arit.
Përveç arit, agjentët e FBI-së gjetën edhe rreth 2 milionë dollarë cash, si dhe 35 ora luksoze, shumica të markës Rolex.
Sipas mediave amerikane, Rush kishte mbajtur më parë një post të lartë në CIA dhe kishte akses në informacione tepër sekrete. Dokumentet e gjykatës tregojnë se ai kishte bërë disa kërkesa ndaj qeverisë amerikane për të marrë valuta të huaja dhe shufra ari, duke pretenduar se ato do të përdoreshin për shpenzime të lidhura me punën.
Megjithatë, gjatë një hetimi të brendshëm, CIA nuk arriti të gjente asnjë dokumentacion që justifikonte përdorimin ose destinacionin e këtyre pasurive. Pas referimit të rastit nga CIA, FBI nisi hetimet dhe ekzekutoi urdhrin e kontrollit më 18 maj.
Rush akuzohet gjithashtu se ka gënjyer për arsimimin dhe shërbimin ushtarak gjatë aplikimit për pozicionin e tij qeveritar, si dhe për përfitime të paligjshme financiare nga pagesat ushtarake.
Aktualisht ai ndodhet në paraburgim dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë kësaj jave. CIA dhe FBI kanë konfirmuar hetimet, ndërsa avokati i Rush ka refuzuar të komentojë mbi çështjen./ kb
