Autoritetet italiane kanë nisur verifikimet pas dyshimeve për një sulm kibernetik ndaj Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA), institucionit përgjegjës për hetimin e krimit të organizuar.
Sipas informacioneve që qarkullojnë në rrjetet sociale, një haker me pseudonimin ”weykofa” pretendon se ka vjedhur një arkiv me mbi 220 megabite të dhëna nga bazat e të dhënave të DIA-s dhe po përpiqet t’i shesë ato në dark web.
Arkivi thuhet se përmban rreth 300 skedarë.
Dokumentet e pretenduara përfshijnë informacione mbi më shumë se 20 grupe të krimit të organizuar, akte hetimore, statistika të brendshme, të dhëna për personelin, dokumente financiare, si dhe korrespondencë me Europol-in dhe institucionet e Bashkimit Evropian.
Sipas të njëjtave pretendime, hakeri ka kërkuar një shpërblim financiar në Bitcoin në këmbim të të dhënave.
Deri tani, sulmi nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Teknikët e institucionit po verifikojnë nëse sistemet informatike janë komprometuar dhe nëse dokumentet janë vjedhur realisht.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se mbledhja e Komitetit Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike, e parashikuar për të martën, është thirrur për të shqyrtuar rreziqet që lidhen me sulmet kibernetike dhe jo për shkak të një emergjence aktuale.
Ai theksoi se autoritetet do të analizojnë ndikimin e këtyre incidenteve në sigurinë publike dhe rrezikun për personat e përfshirë.
Ministri përmendi gjithashtu shfaqjen në dark web të kërkesave për të dhëna që lidhen me personalitete të rëndësishme, përfshirë ministrin e Jashtëm, prokurorin e Romës dhe drejtuesin e Shërbimit të Policisë Postare.
Piantedosi nënvizoi se qëllimi është të kuptohet origjina e këtyre sulmeve, motivet dhe pasojat e mundshme, në mënyrë që të ndërmerren masat e nevojshme parandaluese./mxh
