Izraeli pritet t’i kërkojë SHBA-së sisteme armësh dhe kapacitete të avancuara ushtarake, pas vendimit të Uashingtonit për t’i shitur Arabisë Saudite 48 avionëve luftarakë F-35, sipas “Reuters”.
Kërkesa është raportuar fillimisht nga media izraelite “Walla”, e cila citon një zyrtar izraelit.
Sipas raportimit, autoritetet izraelite do ta paraqesin këtë kërkesë si një lloj “kompensimi” pas marrëveshjes së mundshme SHBA-Arabi Saudite.
Ndër sistemet që Izraeli dëshiron të sigurojë janë municione për shkatërrimin e bunkerëve dhe sisteme që mund të veprojnë në struktura nëntokësore.
Raportimi përmend gjithashtu kërkesa për sisteme autonome sulmuese, mjete ajrore pa pilot dhe teknologji të avancuara.
Kërkesa lidhet me shqetësimin e Izraelit, për të ruajtur avantazhin ushtarak ndaj vendeve të tjera të Lindjes së Mesme.
Një burim i cituar nga “Walla” tha se ushtria izraelite do të preferonte që asnjë vend tjetër i rajonit të mos pajisej me F-35.
Megjithatë, i njëjti burim theksoi se, edhe nëse marrëveshja SHBA-Saudite nënshkruhet së shpejti, avionët e parë nuk pritet t’i dorëzohen Arabisë Saudite para rreth pesë vitesh.
Më 17 shtator, Departamenti amerikan i Shtetit miratoi shitjen e mundshme të 48 avionëve F-35A Arabisë Saudite, në një paketë me vlerë rreth 24,3 miliardë dollarë.
Paketa përfshin edhe 49 motorë, pajisje komunikimi dhe luftimi elektronik, trajnime, pjesë këmbimi dhe mbështetje logjistike.
Megjithatë, kjo nuk është ende një shitje e përfunduar.
Njoftimi i Departamentit të Shtetit nis procesin e shqyrtimit në Kongresin amerikan, i cili ka një periudhë të përcaktuar për të shqyrtuar marrëveshjen.
Çështja është e ndjeshme për Izraelin, pasi ai është aktualisht i vetmi vend në Lindjen e Mesme që operon avionët F-35.
Sipas ligjit amerikan, SHBA-ja duhet të marrë parasysh avantazhin ushtarak të Izraelit, kur miraton shitje të rëndësishme armësh në Lindjen e Mesme.
Uashingtoni duhet të vlerësojë nëse armët e shitura një vendi tjetër, mund të ndikojnë në avantazhin ushtarak të Izraelit në rajon./mxh
