Mbi 20 mijë faqe dokumente nga arkiva e financierit të turpëruar dhe të dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, janë bërë publike nga ligjvënësit amerikanë.
Në dokumente përmendet edhe presidenti Donald Trump, i cili prej kohësh ka mohuar çdo lidhje me veprimtarinë e paligjshme të Epstein.
Demokratët në Komisionin e Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve publikuan tre shkëmbime emailesh midis Epstein dhe bashkëpunëtores së tij të ngushtë, Ghislaine Maxwell, si dhe komunikime me autorin Michael Wolff, i njohur për librat e tij rreth Trump.
Brenda disa orësh, republikanët publikuan një sasi të madhe dokumentesh shtesë, duke e akuzuar opozitën demokrate se po përpiqet të “përzgjedhë me kujdes” dokumentet për të ndërtuar një narrativë të rreme kundër presidentit Trump.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se email-et janë “rrjedhur në mënyrë të qëllimshme” tek media liberale për të njollosur figurën e presidentit.
Ajo shtoi se Trump “e ka përzënë Jeffrey Epstein nga klubi i tij dekada më parë për sjellje të papërshtatshme ndaj punonjëseve femra, përfshirë Virginia Giuffre-n”.
Trump ka pranuar se ka qenë mik me Epstein për disa vite, por thotë se marrëdhëniet u prishën në fillim të viteve 2000, dy vite para arrestimit të parë të financierit. Ai ka mohuar çdo përfshirje apo veprim të paligjshëm.
Në emailin e publikuar të vitit 2011, Epstein i shkruan Maxwell:
“Dua të kuptosh se qeni që s’ka lehur është Trump… [VIKTIMA] kaloi orë të tëra në shtëpinë time me të.”
Epstein vazhdon duke thënë se Trump “nuk është përmendur asnjëherë”, madje as nga një “shef policie”.
Maxwell i përgjigjet:
“Kam qenë duke menduar për këtë…”
Emri i viktimës ishte fshirë në versionin që publikuan demokratët, por në dokumentet e plota rezulton të jetë “Virginia”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, bëhet fjalë për Virginia Giuffre, e cila ndërroi jetë më herët këtë vit.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë kujtoi se Giuffre “ka thënë vazhdimisht se presidenti Trump nuk ka qenë kurrë i përfshirë në ndonjë veprim të gabuar” dhe se ai “është sjellë gjithmonë me korrektësi gjatë kontakteve të tyre të kufizuara”.
Në një dëshmi të vitit 2016, Giuffre po ashtu kishte theksuar se nuk e kishte parë kurrë Trump-in të merrte pjesë në ndonjë abuzim, ndërsa në librin e saj të fundit nuk e akuzon atë për asnjë shkelje.
Demokratët thanë se kanë fshehur identitetin e viktimave në përputhje me kërkesat e familjeve të tyre.
Deputeti Robert Garcia, drejtuesi i demokratëve në Komisionin e Mbikëqyrjes, deklaroi se “partia nuk do të publikojë kurrë emrat e viktimave, për respekt ndaj tyre dhe familjeve të tyre”./MXH
