Last Updated on 14/05/2026 by Kesjana
Një incident i rëndë ka shkaktuar reagim publik në Hawaii, pasi një turist është arrestuar nën akuzën se ka goditur me gur një fokë të rrallë dhe të mbrojtur, të njohur nga vendasit si “Lani”. Ngjarja ka ndodhur në një plazh në Maui, ku 38-vjeçari Igor Mikhailovich Litvinchuk, nga shteti i Washingtonit, ndodhej me pushime së bashku me partneren e tij.
Sipas një videoje që është bërë virale në rrjet, ai shihet duke iu afruar fokës dhe duke hedhur një gur të madh në drejtim të saj ndërsa kafsha notonte pranë bregut. Në momentin kur një dëshmitare e pyeti për veprimin, ai është përgjigjur: “Jam i pasur, mund t’i paguaj gjobat”. Pamjet kanë shkaktuar zemërim të madh në rrjetet sociale, duke nxitur kërkesa për ndërhyrjen e autoriteteve. Pas publikimit të videos, Litvinchuk është arrestuar nga agjentë federalë të Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike NOAA, pranë zonës së Seattle-it. Sipas autoriteteve, ai përballet me akuza për ngacmim të një kafshe të mbrojtur, në këtë rast një fokë-murg e Havait Hawaiian monk seal, një specie në rrezik kritik zhdukjeje me vetëm rreth 1,600 individë në natyrë.
Prokuroria federale në Honolulu tha se në video shihet qartë momenti kur guri hidhet në drejtim të kafshës, duke e detyruar atë të ndryshojë menjëherë sjellje, edhe pse nuk është konfirmuar se ka pësuar dëmtime serioze. Kryebashkiaku i Maui-t, Richard Bissen, e cilësoi arrestimin si një mesazh të qartë se dhuna ndaj jetës së egër nuk do të tolerohet.
Ndërkohë, senatori shtetëror Brenton Awa deklaroi se, pavarësisht kundërshtimit të dhunës, veprimi i qytetarit vendas që reagoi ndaj turistit është vlerësuar me letër mirënjohjeje nga autoritetet lokale. Litvinchuk pritet të dalë para gjykatës federale në Seattle, ndërsa nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në një vit burg, si dhe gjoba të konsiderueshme sipas ligjeve amerikane për mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe gjitarëve detarë./kb
