Miley Cyrus dhe Maxx Morando kanë kurorëzuar dashurinë e tyre. Çifti i dha fund beqarisë të shtunën, më 21 nëntor, gjatë një ceremonie private në Palm Springs, Kaliforni, ku të pranishëm ishin familjarë dhe miq të afërt.
Lajmi u raportua fillimisht nga Entertainment Tonight dhe më pas u konfirmua nga disa media ndërkombëtare. Mes të ftuarve ishin edhe nëna e këngëtares, Tish Cyrus, si dhe motra e saj, Noah Cyrus.
Nga pamjet e publikuara, ceremonia duket se është organizuar në një ambient intim pranë pishinës, ku çifti shkëmbeu betimet nën një hark të zbukuruar me lule të bardha. Një ditë para dasmës, Miley dhe Maxx kishin organizuar edhe një darkë për familjarët dhe miqtë, ndërsa në menynë e mbrëmjes spikasnin inicialet e tyre, “M+M”.

Një nga detajet që tërhoqi vëmendjen në pamjet e ceremonisë ishte emocionimi i këngëtares. Miley shihet duke fshirë lotët, ndërsa zbulon edhe zgjedhjen e saj për ditën e madhe.
Ajo ishte veshur një fustan elegant me shpinë të hapur, mëngë të gjata dhe bisht, duke zgjedhur një siluetë klasike, por me një prekje moderne. Flokët i kishte mbledhur lart, ndërsa pamjen e kishte plotësuar me vathë të gjatë dhe këpucë me taka të holla e majë të mprehtë. Nga ana tjetër, Maxx zgjodhi një kostum të zi klasik.
Ceremonia u zhvillua në oborrin e ish-shtëpisë së Frank Sinatrës në Palm Springs, një ambient që i dha dasmës një atmosferë intime dhe romantike.

Nga propozimi në Japoni te martesa
Historia e dashurisë së Miley-t dhe Maxx-it mori një tjetër drejtim rreth një vit më parë, kur çifti u fejua më 2 dhjetor 2025. Dyshimet për fejesën nisën pasi këngëtarja u shfaq me një unazë diamanti në premierën e filmit “Avatar: Fire and Ash” në Los Angeles.
Më vonë, Maxx tregoi në një intervistë për revistën Wonderland se propozimi kishte ndodhur gjatë një udhëtimi në Kioto të Japonisë. Ai kishte pritur deri në ditën e fundit të udhëtimit për t’i bërë surprizën Miley-t, pasi dyshonte se ajo kishte filluar të kuptonte planet e tij.
Propozimi u zhvillua në një kopsht të vogël, në një ambient që të kujtonte një pyll japonez. Maxx arriti ta bindte këngëtaren të ndiqte një rrugicë të veçantë, ndërsa ajo po filmonte peizazhin me shpinën kthyer. Në atë moment, ai u gjunjëzua dhe i kërkoi të bëhej bashkëshortja e tij.
Këngëtarja nuk e ka fshehur asnjëherë entuziazmin për marrëdhënien e tyre. Në një intervistë, ajo ka thënë se martesa ishte diçka që e kishte dëshiruar gjithmonë dhe se shpresonte që edhe të tjerët të kishin fatin të gjenin personin e duhur, ashtu siç kishte gjetur ajo Maxx-in.
Duket se këtë herë, historia e tyre mori zyrtarisht fundin e lumtur që Miley kishte dëshiruar./k.m
