Pas gati dy dekadash, James Blunt ka arritur të përsërisë suksesin e tij në tregun muzikor britanik. Këngëtari ka siguruar sërish vendin e parë në klasifikimin e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar, këtë herë me projektin e tij më të ri, “Airplane Mode”.
Albumi, i publikuar më 13 nëntor, ka debutuar menjëherë në krye të renditjes së Official Charts Company, duke shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e artistit. Ky është albumi i tetë solo i Blunt, i cili përmban gjithsej 12 këngë.
Suksesi i ri vjen në një periudhë kur emri i këngëtarit është rikthyer fuqishëm në vëmendjen e publikut, falë pjesëmarrjes në spektaklin televiziv të BBC-së, “The Celebrity Traitors”. Blunt arriti deri në fazën e finalistëve, por aventura e tij përfundoi pas eliminimit nga Sebastian “Bass” Croft dhe Romesh Ranganathan.
Vetë artisti ka treguar se pjesëmarrja në këtë reality show nuk kishte si synim kryesor fitoren, por ishte një mundësi për të tërhequr vëmendjen drejt muzikës së tij të re.
Madje, në prag të publikimit, ai e shoqëroi promovimin e albumit me një premtim humoristik: nëse “Airplane Mode” do të kryesonte klasifikimin, do të ndryshonte zyrtarisht emrin në “Ryan Air”, duke iu referuar kompanisë ajrore Ryanair.
Për James Blunt, ky është rikthimi i parë në vendin e parë të klasifikimit britanik që prej vitit 2007, kur albumi “All The Lost Souls” arriti të njëjtin sukses. Ndërsa famën ndërkombëtare këngëtari e kishte fituar më herët, me albumin debutues “Back To Bedlam” të vitit 2005, i cili qëndroi plot dhjetë javë në krye të renditjes.
Pas publikimit të rezultateve, Blunt nuk ka harruar të falënderojë fansat, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë mbështetur albumin përmes blerjeve, shkarkimeve dhe dëgjimeve online./mxh
