Japonia do të nisë më 20 tetor një sondë hapësinore për të mbledhur dhe sjellë në Tokë mostra nga njëra prej hënave të Marsit, njoftoi të enjten agjencia hapësinore japoneze.
Sonda MMX (Martian Moons eXploration) është pa ekuipazh dhe është zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë hapësinore amerikane dhe evropiane, universitete dhe kompani të teknologjisë.
Misioni pritet të ndihmojë në zbulimin e mistereve mbi origjinën e Sistemit Diellor dhe të jetës në Tokë.
Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës Ajrore (JAXA) bëri të ditur se raketa e fuqishme H3, që do të transportojë sondën MMX, do të niset nga qendra hapësinore
Tanegashima më 20 tetor në orën 04:41, sipas orës lokale, ose në 19:41 GMT më 19 tetor.
Sonda do të qëndrojë në orbitën e Marsit për rreth tre vjet dhe do të përpiqet të ulet në Fobos, një nga dy hënat e planetit.
Ajo do të mbledhë të paktën 10 gramë material nga sipërfaqja e Fobos, ndërsa roveri IDEFIX, i pagëzuar me emrin e qenit të personazhit të famshëm të komikëve Asterix, do të kryejë vëzhgime në sipërfaqe.
Misioni synon gjithashtu të eksplorojë Deimosin, hënën tjetër të Marsit, por pa u ulur në të.
Një kapsulë që do të transportojë mostrat pritet të rikthehet në Tokë dhe të ulet në Australi në vitin 2031.
JAXA shpreson se misioni do të ndihmojë në zbulimin e mënyrës se si u formuan Marsi dhe hënat e tij, duke ofruar të dhëna të rëndësishme për të kuptuar lindjen e Sistemit Diellor.
Agjencia japoneze synon gjithashtu të studiojë mundësinë e përdorimit të Fobos si një “stacion hapësinor natyror”, duke zhvilluar teknologjitë e nevojshme për udhëtime vajtje-ardhje drejt Marsit, një hap që konsiderohet thelbësor për eksplorimin me njerëz të planetit të kuq./mxh
