Japonia ka nisur sot një mision hapësinor që synon të mbledhë mostra nga një prej dy hënave të Marsit, “Phobos”, në një përpjekje që mund të ndihmojë shkencëtarët të zbulojnë më shumë mbi origjinën e Sistemit Diellor dhe kushtet që mundësuan shfaqjen e jetës në Tokë.
Raketa japoneze “H3”, që transportonte sondën pa ekuipazh “Martian Moons eXploration (MMX)”, u lëshua nga Qendra Hapësinore Tanegashim.
Më shumë se një orë pas nisjes, Agjencia Japoneze e Eksplorimit të Hapësirës (JAXA) konfirmoi se sonda ishte shkëputur me sukses nga raketa dhe kishte nisur udhëtimin drejt sistemit të Marsit.
Sinjalet e marra konfirmuan se anija po funksiononte normalisht.
Sonda pritet të mbërrijë pranë Marsit rreth muajit gusht të vitit të ardhshëm, ku do të vendoset në orbitën e hënës “Phobos”.
Atje, një mjet eksplorues franko-gjerman, i quajtur IDEFIX, do të kryejë vëzhgime të sipërfaqes për të ndihmuar në përcaktimin e kushteve të përshtatshme për uljen e sigurt të sondës.
Ky mjet synon të jetë i pari që do të lëvizë mbi sipërfaqen e “Phobos”.
Gjatë misionit, i planifikuar të zgjasë tre vjet në afërsi të Planetit të Kuq, MMX synon të mbledhë të paktën 10 gramë material nga sipërfaqja e “Phobos” dhe ta sjellë atë në Tokë.
Misioni është një bashkëpunim ndërkombëtar ku marrin pjesë agjenci hapësinore amerikane dhe evropiane, universitete dhe kompani të teknologjisë.
Shkencëtarët shpresojnë se analizimi i mostrave do të ndihmojë në përcaktimin e mënyrës se si u formuan Marsi dhe dy hënat e tij, “Phobos” dhe “Deimos”.
Një nga çështjet kryesore që kërkuesit synojnë të sqarojnë është origjina e “Phobos”dhe “Deimos”.
Sipas hipotezës së përplasjes gjigante, hënat mund të jenë formuar nga materiali i hedhur në hapësirë pas përplasjes së Marsit me një trup tjetër qiellor.
Një teori tjetër sugjeron se ato janë asteroidë të kapur nga graviteti i planetit.
Përcaktimi i teorisë së saktë mund të ndihmojë në kuptimin e formimit të planetëve shkëmborë dhe të kushteve që mund të favorizojnë jetën.
Përveç mbledhjes së mostrave, misioni do të vëzhgojë edhe “Deimosin”, pa u ulur në sipërfaqen e tij.
JAXA synon gjithashtu të studiojë mundësinë e përdorimit të “Phobos” si një lloj stacioni natyror hapësinor, që mund të lehtësojë misionet e ardhshme me astronautë drejt Marsit.
NASA e konsideron këtë mision një mundësi të rëndësishme për përparimin e shkencës planetare dhe përgatitjen e eksplorimit njerëzor të Planetit të Kuq./mxh
