Last Updated on 23/10/2026 by Monika
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka dhënë dorëheqjen nga detyra, në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të agjencive shtetërore në nivel qendror dhe lokal.
Vendimi i Bejës vjen pas urdhrit të dhënë nga Rama të enjten pasdite, kur u kërkoi ministrave të administronin dorëheqjet e drejtorëve të institucioneve në varësi të tyre, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe.
Sipas burimeve qeveritare, drejtuesit e prekur nga kjo nismë do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, pasi faza e parë e procesit parashikon vetëm formalizimin e dorëheqjeve përmes një shkrese zyrtare.
Në fazën e dytë, qeveria pritet të analizojë performancën e secilit prej drejtuesve që kanë paraqitur dorëheqjen, përpara se të vijojë me hapat e mëtejshëm.
Deri më tani, qeveria nuk ka bërë asnjë koment zyrtar lidhur me këtë valë dorëheqjesh të kërkuara. Megjithatë, të njëjtat burime qeveritare bëjnë të ditur se nisma lidhet me avancimin e idesë së kryeministrit për forcimin e meritokracisë në administratën publike.
Ky proces shihet gjithashtu si një hap që i hap rrugë ministres së Administratës Publike, Adea Pirdeni, e cila u votua një ditë më parë në Kuvend dhe u betua sot në Presidencë.
Në total, janë më shumë se 130 drejtues të agjencive shtetërore në nivel qendror dhe lokal që pritet të paraqesin dorëheqjet e kërkuara.
Nisma nuk është një precedent i ri për kryeministrin Edi Rama. Edhe në vitet 2021 dhe 2023, drejtuesve të institucioneve u janë kërkuar dorëheqje në kuadër të lëvizjeve dhe riorganizimeve në administratën shtetërore./mxh
