Last Updated on 23/10/2026 by Monika
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, përmes një deklarate, iu ka bërë thirrje të gjithë sipërmarrësve në vend, anëtarë dhe joanëtarë të saj, që t’u bashkohen protestave të zhvilluara në Shqipëri, në mbështetje të studentëve, shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Shoqata u bën apel bizneseve të solidarizohen me protestuesit, duke theksuar se situata aktuale lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e sipërmarrjes, familjeve dhe brezave të ardhshëm.
Sipas shoqatës, përfaqësuesit e saj kanë qenë vazhdimisht të pranishëm në protesta dhe u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve të Shqipërisë që të bashkohen nesër me studentët dhe qytetarët në protestë.
Deklarata e plotë:
Të dashur qytetarë, të dashur sipërmarrës të biznesit të vogël dhe të mesëm në Shqipëri, Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë u bën thirrje të gjithë bizneseve të vogla dhe të mesme, anëtare dhe joanëtare të shoqatës, të vazhdojnë të mbështesin dhe t’u bashkohen protestave që po zhvillohen në Shqipëri.
I bëjmë thirrje çdo sipërmarrësi të solidarizohet dhe të bashkohet me studentët, shoqërinë civile dhe qytetarët shqiptarë që marrin pjesë në këto protesta.
Kjo nuk është vetëm një çështje e sotme. Është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e bizneseve tona, familjeve tona dhe fëmijëve tanë.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, në koordinim me shoqërinë civile dhe organizata të tjera, ka qenë vazhdimisht e pranishme në protesta dhe në sheshe, duke ngritur zërin kundër korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe politikave që, sipas vlerësimit tonë, kanë dëmtuar biznesin dhe shoqërinë shqiptare.
Ne besojmë se situata aktuale e biznesit dhe e shoqërisë kërkon reagim qytetar, solidaritet dhe përgjegjshmëri.
Prandaj, edhe një herë, u bëjmë thirrje të gjitha bizneseve të Shqipërisë që të bashkohen nesër, ditën e shtunë, me studentët dhe qytetarët në protestë.
U bëjmë thirrje bizneseve që kanë mundësi të mbështesin protestuesit me produktet dhe shërbimet e nevojshme gjatë zhvillimit të protestës.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje bizneseve në mbarë vendin që, në oraret e përcaktuara të protestës, të ulin qepenat në shenjë solidariteti me protestuesit shqiptarë.
Ky është një moment i rëndësishëm për biznesin, për qytetarët dhe për të ardhmen e vendit.
Sot kërkohet solidaritet, përgjegjësi dhe zë qytetar.
Bashkë për biznesin.
Bashkë për qytetarët.
Bashkë për të ardhmen e Shqipërisë.
BORDI DREJTUES
SHOQATA E BIZNESIT TË VOGËL DHE TË MESËM TË SHQIPËRISË./mxh
