Last Updated on 12/11/2026 by EL
Zëvendësministri grek i Zhvillimit, Lazaros Tsavdaridis, ka dhënë dorëheqjen mëngjesin e së enjtes, pas një skandali që lidhet me dyshimet për përfitimin e pikëve shtesë përmes aktiviteteve sportive, nga vajza e tij për pranimin në universitet.
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e ka pranuar menjëherë dorëheqjen.
Rasti ka shkaktuar reagime politike dhe debat në Greqi, pasi ngre pikëpyetje mbi barazinë e mundësive për pranimin e studentëve në universitetet publike.
Sipas raportimeve të mediave greke, vajza e Tsavdaridis dyshohet se ishte regjistruar si pjesëtare e një ekipi hendbolli në Greqi, ndonëse pretendimet mediatike vënë në pikëpyetje nëse ajo kishte marrë pjesë realisht në aktivitetet sportive të ekipit.
Skuadra në fjalë kishte arritur rezultate të rëndësishme në kampionat. Këto rezultate u mundësonin sportisteve të përfitonin pikë shtesë në sistemin e pranimit në universitet përmes provimeve kombëtare greke.
Vetë ish zv ministri mohoi kategorikisht pretendimet.
Në këtë çështje u përfshi edhe Federata Greke e Hendbollit, e cila publikoi një deklaratë zyrtare. Sipas tyre vajza e ish zv ministrit ka një kartelë sportive të lëshuar në mënyrë të ligjshme.
Kryeministri Mitsotakis vendosi ta pranonte dorëheqjen, pasi shpjegimet e zëvendësministrit nuk konsideroheshin të mjaftueshme për të mbyllur polemikat.
Vendimi erdhi edhe në një moment të ndjeshëm për partinë qeverisëse Demokracia e Re, e cila përballet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2027./et
