Kur një lidhje kalon një periudhë të vështirë, instinkti është pothuajse gjithmonë i njëjtë: një bisedë me tone të larta, një vendim drastik, ose mendimi që “diçka nuk po funksionon më”.
Por dy studime të fundit në psikologjinë e marrëdhënieve sugjerojnë diçka krejt tjetër: lidhjet që mbijetojnë nuk ndërtohen nga gjeste të mëdha, por nga gjëra të vogla, të përsëritura çdo ditë.
Çfarë bëjnë ndryshe çiftet që funksionojnë?
Psikologu Menelaos Apostolou analizoi rreth 100 persona dhe u kërkoi të vlerësonin 14 mënyra për të përmirësuar marrëdhënien në çift. Dy prej tyre dolën qartë mbi të tjerat: të përpiqesh realisht të kuptosh nevojat e partnerit dhe të flasësh për problemet, në vend që t’i shtysh.
Një tjetër gjetje interesante? Të tregosh dashuri në mënyrë konkrete funksionon më mirë sesa të përqendrohesh te vetja, pamja, imazhi apo “të dukurit mirë”. Me fjalë të tjera: ajo që jep te tjetri ka më shumë ndikim sesa ajo që bën për veten.
Studimi identifikon edhe disa “rregulla të heshtura” të marrëdhënieve që zgjasin: të kuptosh dhe të komunikosh nevojat e tua, të krijosh përvoja të përbashkëta, të ndërtosh besim, të respektosh hapësirën e tjetrit, të jesh i hapur ndaj kritikës, të ruash vetëkontrollin në konflikt dhe të dish të bësh kompromis.
Studimi për dhembshurinë dhe një detaj që ndryshon gjithçka
Një studim i dytë ndoqi 175 çifte të martuara për dy javë, duke i kërkuar secilit të mbante një ditar me gjeste të vogla dhembshurie ndaj partnerit. Rezultati konfirmoi një ide të njohur (e lidhur edhe me filozofinë e Dalai Lama-s): kujdesi për tjetrin përmirëson edhe mirëqenien tënde.
Madje ka një detaj të rëndësishëm: Partneri përfiton emocionalisht nga një gjest vetëm nëse e vëren atë. Ndërsa personi që e bën gjestin përfiton gjithmonë, edhe nëse nuk i njihet.
Me pak fjalë: ai që jep, fiton më shumë.
Sipas profesorit Harry Reis, pritja që partneri të vërë re çdo përpjekje është një keqkuptim. Vlera e gjestit nuk qëndron te reagimi, por te akti vetë.
Dy studime të ndryshme, i njëjti përfundim: marrëdhëniet nuk shpëtohen nga momentet e mëdha, por nga gjestet e vogla të përditshme: të kuptosh, të dëgjosh, të tregosh dashuri në mënyrë konkrete.
Dhe ndoshta pjesa më e rëndësishme është kjo: nuk duhet të presësh që tjetri të ndryshojë që të fillosh ti. Sepse, sipas shkencës, edhe kur askush nuk e vë re, ajo që jep, kthehet gjithsesi./mxh
