Spanja ka nisur operacionet e evakuimit për qytetarët e saj të bllokuar në Lindjen e Mesme, mes përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, njoftoi se 175 shtetas spanjollë janë nisur drejt Madridit nga Abu Dabi me një fluturim komercial të kompanisë Etihad Airways, i cili pritet të mbërrijë në orët e mbrëmjes.
Sipas tij, fluturime të tjera pritet të realizohen nga Emiratet e Bashkuara Arabe përmes Stambollit, ndërsa operacione të ngjashme evakuimi janë duke u zhvilluar edhe në disa vende të tjera të rajonit.
Albares theksoi se, për arsye sigurie, autoritetet nuk do të japin detaje të mëtejshme mbi mënyrën e realizimit të operacioneve, nivelin e vështirësisë apo itineraret e përdorura, deri në përfundimin e tyre me sukses.
Evakuimet po kryhen si me rrugë tokësore ashtu edhe ajrore, ndërsa situata e tensionuar në rajon ka shtyrë disa vende europiane të ndërmarrin masa për të garantuar sigurinë e qytetarëve të tyre.
Autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se mbrojtja e shtetasve jashtë vendit mbetet prioritet, ndërsa zhvillimet në Lindjen e Mesme vijojnë të jenë të paparashikueshme./mxh
