Vajza e diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në një paradë ushtarake në Phenian të mërkurën në mbrëmje, sipas imazheve të publikuara nga media shtetërore të enjten, mes spekulimeve nëse ajo po prezantohet si një pasardhëse e mundshme.
Shfaqja e adoleshentes, e njohur si Ju Ae, u zhvillua në një paradë që mbylli Kongresin e Nëntë të Partisë së Punëtorëve në pushtet, ngjarja më e madhe në kalendarin politik të vendit, të cilën analistët e kanë ndjekur nga afër për të identifikuar ndryshime të mundshme në orientimin politik.
Një fotografi e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tregonte Ju Ae-në në këmbë pranë babait të saj dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë, ndërsa ata duartrokisnin paradën. Të dy mbanin veshur xhaketa të gjata prej lëkure, me ngjyrë të zezë. Një tjetër imazh e tregonte atë duke ndjekur një shfaqje ajrore së bashku me Kim-in dhe udhëheqësit ushtarakë.
Koreja e Veriut nuk e ka konfirmuar kurrë moshën e Ju Ae-së, megjithëse besohet se ajo ka lindur në fillim të viteve 2010.
KCNA nuk e përshkroi në mënyrë të qartë rolin e saj në paradë, por prania e saj ka të ngjarë të nxisë më tej spekulimet rreth trashëgimisë në një sistem të ndërtuar mbi legjitimitetin dinastik të familjes Kim. Më herët këtë muaj, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Koresë së Jugut u tha ligjvënësve se kishte indikacione që Ju Ae ishte e përfshirë në çështje politike, çka mund të pasqyrojë se ajo është “në fazën e emërimit të brendshëm si pasardhëse”.
Ju Ae është shfaqur gjithnjë e më shpesh gjatë tre viteve të fundit. Ajo u shfaq për herë të parë në publik në fund të vitit 2022, kur shoqëroi të atin në lançimin e një rakete balistike ndërkontinentale — një rast në të cilin media shtetërore e përshkroi si vajzën e tij “të dashur”.
Ajo është shfaqur më pas me flokë të gjatë dhe shpesh e veshur me xhaketa lëkure që duken të shtrenjta ose me pallto të zbukuruara me gëzof, në imazhe të transmetuara nga media shtetërore në një numër në rritje ngjarjesh, përfshirë teste raketash, përvjetorë ushtarakë dhe festime kombëtare, ndërsa aparati shtetëror i propagandës ka rritur gradualisht dukshmërinë e saj.
Shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut besojnë se ajo është vajza e Kim Jong Un dhe bashkëshortes së tij, Ri Sol Ju. Ekzistenca e saj u bë publike për herë të parë në vitin 2013, kur ish-basketbollisti amerikan Dennis Rodman deklaroi se udhëheqësi kishte një vajzë “të vogël” me emrin Ju Ae, të cilën ai tha se e kishte mbajtur në krahë gjatë vizitës së tij në Phenian.
Burimi: lavanguardia.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
