Ilir Alimehmeti u shpreh se lëvizja e re e ndërmarrë së bashku me Ervin Salianjin dhe mbështetës të Partisë Demokratike nuk synon lidershipin e partisë dhe nuk është një nismë kundër Sali Berishës. Ai theksoi disa herë se Berisha mbetet kryetar i PD-së dhe se ai vetë e ka votuar dy herë. Sipas Alimehmetit, qëllimi është energjizimi i partisë, përfaqësimi i votuesve dhe hapja ndaj rrymave të ndryshme brenda PD-së.
Duke iu përgjigjur pyetjeve kritike, Alimehmeti nënvizoi se kjo iniciativë synon bashkimin dhe forcimin e partisë, jo përçarjen. Ai shpjegoi se Foltorja aktuale është e ndryshme nga ajo e viteve të mëparshme, pasi synon përfaqësim më të gjerë dhe rifreskim të figurave drejtuese, veçanërisht në prag të proceseve të ardhshme të votimit brenda PD-së.
I pyetur nëse kërkohet fraksion apo ndryshim i lidershipit, Alimehmeti tha se partia ka nevojë për rifreskim dhe organizim më të mirë, por jo për sulme ndaj kryetarit. Ai theksoi se nuk do të mbështesë asnjë hap që çon drejt përçarjes.
Pavarësisht kritikave të Berishës, i cili ka deklaruar se pjesëmarrësit në takimet e Durrësit nuk janë demokratë dhe e ka cilësuar nismën si private, Alimehmeti u shpreh se çdo takim me qytetarët e forcon PD-në dhe se organizimi i partisë kërkon rritje dhe përmirësim të menjëhershëm./mxh
