Drejtoria Rajonale e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë ka një drejtues të ri. Albion Koçi është larguar nga detyra, ndërsa në krye të ASHK-së Vlorë është emëruar Andi Muhametaj, një inxhinier me eksperiencë në strukturat e Kadastrës.
Sipas burimeve nga ASHK-ja, Muhametaj ka mbajtur më herët detyrën e drejtorit në ASHK-në qendrore, në strukturën që mbulon zonat e stimuluara. Vlerësimet për punën e tij kanë ndikuar në emërimin në një prej posteve më delikate të administrimit të pronave në vend.
Ndryshimi në drejtimin e Kadastrës së Vlorës vjen pas problematikave të përsëritura me pronat në qark, ku ndër vite janë evidentuar mbivendosje pronësie, konflikte për sipërfaqet dhe vështirësi në zgjidhjen e rasteve të ndërlikuara.
Në këtë kuadër, qasja e re synon të zhvendosë fokusin nga trajtimi vetëm dokumentar i pronave drejt verifikimit teknik në terren. Për këtë arsye, zgjedhja e një inxhinieri në krye të institucionit shihet si një përpjekje për t’i dhënë më shumë peshë matjeve, hartografisë dhe verifikimit fizik të pasurive.
Ndërkohë, ASHK-ja qendrore ka dërguar grupe pune nga Tirana në zonat bregdetare të Vlorës, ku po kryhen matje në terren dhe verifikime derë më derë. Të dhënat e mbledhura pritet të hidhen më pas në harta, me synimin për të krijuar një pasqyrë më të saktë të pronave dhe kufijve të tyre.
Një nga sfidat kryesore për drejtuesin e ri do të jetë pikërisht zgjidhja e problematikave të akumuluara në zonat ku ndër vite janë pretenduar mbivendosje pronësie dhe regjistrime të dyfishta.
Sipas burimeve, synimi është që pronat problematike të rimaten dhe të verifikohen në terren, duke reduktuar hapësirat për interpretime të ndryshme dhe duke përcaktuar më qartë kufijtë e çdo pasurie.
Vlora mbetet një prej qarqeve më problematike sa i takon administrimit të pronave, veçanërisht në zonat bregdetare, ku vlera e lartë e tokës ka prodhuar prej vitesh konflikte dhe përplasje mbi pronësinë.
Emërimi i Muhametajt pritet të shoqërohet me një proces të gjerë verifikimi teknik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo qasje do të sjellë zgjidhje konkrete për dosjet e vjetra dhe konfliktet e pronësisë që vijojnë të jenë të hapura në qarkun e Vlorës./ad
