Last Updated on 23/09/2026 by Anisa
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka kërkuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas takimeve të ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Nju Jork.
“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese”, tha Kallas.
Sipas saj, zbatimi i marrëveshjeve nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale.
BE-ja, tha Kallas, do të vazhdojë të jetë ndërmjetëse e paanshme, por ndërmjetësimi nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë.
Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga shtatori i vitit 2023. Kurti e kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me dorëzimin e personave të dyshuar për sulmin në Banjskë, për të cilin ai akuzon Serbinë.
Gjatë takimit me Kallasin në Nju Jork, Kurti kujtoi se më 24 shtator bëhen tre vjet nga sulmi në Banjskë. Në këtë sulm u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Kosova kërkon vazhdimisht ekstradimin e Radoiçiqit nga Serbia, ku ai ka të regjistruar vendbanimin.
“Millan Radoiçiq dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist paramilitar, të cilët po mbrohen nga presidenti i Serbisë, teksa i ofrojnë mbrojtje dhe shërbime, duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë. Për këtë kërkova përkrahjen e BE-së që t’i bëjnë trysni Serbisë”, shkroi Kurti.
BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar që personat e përfshirë në sulm të përballen me drejtësinë.
Nga ana tjetër, Vuçiq tha se me Kallasin diskutoi për marrëdhëniet Serbi-BE, reformat drejt anëtarësimit dhe stabilitetin rajonal, përfshirë pozitën dhe sigurinë e serbëve në Kosovë.
Ai shtoi se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me partnerët evropianë.
Pas takimit me Kallasin, Kurti tha se Kosova do të angazhohet që në shkallën e apelit të ndryshohet aktgjykimi dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohet në shkallën e Apelit”, shkroi Kurti në rrjetet sociale.
Më 16 shtator, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, u gjetën fajtorë për katër akuza për krime lufte dhe u dënuan me 81 vjet burgim në total.
Takimi mes Kurtit dhe Kallasit vjen një ditë pasi në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës ka proceduar një projektligj për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
PDK-ja ka thënë se ndryshimet nuk synojnë zhbërjen e Gjykatës, ndërsa BE-ja nuk ka dashur ta komentojë këtë nismë.
Mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së ka nisur procedurat për apelimin e vendimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura edhe si Gjykata Speciale. Kurti, që nga shpallja e aktgjykimit, është zotuar për angazhimin e institucioneve në këtë drejtim.
Në Prishtinë, ndërkaq, çdo natë po mbahen protesta kundër vendimit të Gjykatës në Hagë, ndërsa për ditët në vijim janë paralajmëruar edhe protesta në mbarë vendin.
Gjatë takimit, Kurti tha se, ndërsa Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane dhe euroatlantike, Serbia fqinje “sikur qëndron mes Rusisë dhe Kinës”.
Serbia është kritikuar nga SHBA-ja dhe BE-ja për politikën e saj të jashtme, veçanërisht për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
SHBA-ja ka shprehur gjithashtu shqetësime për blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Beogradi.
Kurti tha po ashtu se gjatë takimit me Kallasin ngriti shqetësimin për pozitën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi.
Ai tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës – term që përdoret për komunat jugore të Serbisë, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc – janë të “diskriminuar”, të nënpërfaqësuar në institucione dhe përballen me atë që njihet si pasivizimi i adresave.
Pasivizimi i adresave nënkupton çregjistrimin e qytetarëve nga adresat ku kanë qenë të regjistruar. Sipas tekstit, kjo praktikë rezulton me humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, të drejtave civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të përfituar sigurim shëndetësor e pension, si dhe për t’u punësuar.
Çështja është ngritur vazhdimisht nga shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar këtë praktikë si diskriminuese.(REL)-ad
