Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se kjo mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë në Ukrainë.
Ajo shtoi se Rusia nuk dëshiron paqe, ndaj aletatët e Ukrainës duhet të kontribuojnë që ajo të jetë e përgatitur dhe të mbrojë veten në këtë kohë të vështirë.
“Është e qartë se Rusia nuk dëshiron paqe, dhe për këtë arsye ne duhet ta bëjmë Ukrainën sa më të fortë të jetë e mundur në mënyrë që ta përgatisim atë që të jetë gati të mbrojë veten në këtë kohë shumë, shumë të vështirë. Mund të jetë një javë vendimtare për diplomacinë, dëgjuam se bisedimet në Amerikë ishin të vështira, por produktive”, theksoi Kaja Kallas.
Deklarata e saj vjen gjatë mbledhjes së ministrave të Mbrojtjes së Bashkimit Evropian në Bruksel, ku në fokus është mbështetja për Ukrainën.
Bazuar në një artikull të publikuar nga CNN, takimi që u zhvillua në Florida mes negociatorëve ukrainas dhe atyre amerikanë po përparon shpejt, teksa u diskutuan çështjet më problematike të planit të paqes, lëshimi I territoreve dhe mosanëtarësimi I Ukrainës në NATO.
Sipas burimeve të CNN, negociatorët kanë diskutuar një skenar të mundshëm në të cilën Ukraina nuk do të detyrohet që zyrtarisht, në kuptimin ligjor, ta refuzojë aspiratën e anëtarësimit në aleancën ushtarake, por pa dhënë detaje të tjera.
Ndërkohë, Kremlini ka njoftuar se presidenti rus, Vladimir Putin do të takohet të martën me të dërguarin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkoff, në Moskë./mxh
