Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas i ka përshkruar sulmet e ripërtërira ndaj shteteve të Gjirit si të papranueshme, gjatë një bisede telefonike me homologun e saj iranian, Abbas Araghchi, raportoi BBC.
“Zhvillova sot një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Iranit, Abbas Araghchi, rreth përshkallëzimit të fundit në Gjirin Persik dhe gjendjes së negociatave me SHBA-në. Kam qenë gjithashtu në kontakt me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah. Sulmet e ripërtërira ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe infrastrukturës së tyre kritike janë të papranueshme”, shkroi Kallas në X.
“Një kthim në luftë në shkallë të plotë do të vinte me një kosto të jashtëzakonshme për të gjithë rajonin. Rruga diplomatike mbetet rruga më e mirë për të dalë nga kjo luftë”, shtoi ajo.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Araghchi dënoi agresionin e SHBA-së.
Araghchi i tha Kallas se sulmet e fundit të SHBA-së ishin një shkelje e së drejtës ndërkombëtare, të cilat e kishin bërë armëpushimin “joefektiv”./mxh
