Mbrëmjen e së mërkurës, më 10 qershor, gjatë kthimit në shtëpi nga zyra e tij në Cologno Monzese, biznesmeni italian Pier Silvio Berlusconi u përfshi në një aksident të rëndë rrugor. Pavarësisht përplasjes së fortë, ai ka shpëtuar pothuajse pa dëmtime, duke pësuar vetëm lëndime të lehta.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, gjendja e tij shëndetësore nuk ka sjellë ndryshime në axhendën e planifikuar. Ai pritet të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e trevjetorit të ndarjes nga jeta të babait të tij, Silvio Berlusconi, e cila do të zhvillohet këtë mbrëmje në selinë e Mediaset dhe do të përfshijë të gjithë bashkëpunëtorët e grupit.
Rreth orës 21:30 të mbrëmjes së djeshme, Berlusconi po drejtonte automjetin e tij në rrugën provinciale mes Villasanta dhe Arcore, në zonën e Brianzës. Ai po lëvizte në kolonë automjetesh kur një makinë që vinte nga korsia e kundërt humbi kontrollin gjatë përshpejtimit, kaloi në kahun e kundërt dhe u përplas me automjetin e tij.
Përplasja, pothuajse ballore, shkatërroi pjesën e përparme të mjetit dhe aktivizoi të gjithë airbagët. Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje i kryen kontrollet e para mjekësore. Falë përdorimit të rripit të sigurimit dhe sistemeve të mbrojtjes së automjetit, Pier Silvio Berlusconi doli nga aksidenti pothuajse i padëmtuar./mxh
