Zyrtarë të Kamboxhias dhe Tajlandës kanë nisur sot katër ditë bisedime në një pikë kufitare, me synimin për t’i dhënë fund përleshjeve të përgjakshme mes dy vendeve. Konflikti i vjetër kufitar është rindezur këtë muaj, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe zhvendosjen e rreth një milion personave.
Bisedimet po zhvillohen në provincën Chanthaburi të Tajlandës, pas tensioneve lidhur me vendin e takimit, që rrezikuan anulimin e tyre. Qeveria e Kamboxhias publikoi pamje nga salla e takimit, duke konfirmuar nisjen e negociatave mes delegacioneve të mbrojtjes së dy vendeve.
Sipas Phnom Penh-it, qëllimi i bisedimeve është “ndalimi i armiqësive, rikthimi i stabilitetit dhe një kthim sa më i shpejtë në normalitet”.
Nga ana tjetër, Tajlanda shprehet optimiste, por thekson se suksesi i takimeve varet nga sinqeriteti i palës kamboxhiane, jo vetëm në fjalë, por edhe në veprime konkrete.
Bangkoku ka kërkuar më herët që Kamboxhia të shpallë një armëpushim dhe të bashkëpunojë në çminimin e zonave kufitare. Ndërkohë, autoritetet kamboxhiane deklarojnë se presin që edhe pala tajlandeze të tregojë vullnet të vërtetë për paqe.
Konflikti buron nga një mosmarrëveshje territoriale mbi kufirin 800 kilometra të trashëguar nga periudha koloniale, si dhe mbi disa tempuj të lashtë të vendosur në zonën kufitare. Përplasjet e fundit kanë shkelur një armëpushim të ndërmjetësuar më herët nga SHBA, Kina dhe Malajzia.
Bisedimet pritet të zgjasin deri të shtunën, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet, me shpresën se palët do të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund dhunës./MXH
