Në prag festash, përveç verës së ngrohtë me erëza, në Britani dhe më gjerë po rikthehet një traditë e lashtë dimërore: Wassailing, një zakon folklorik që simbolizon shëndetin, begatinë dhe largimin e energjive të këqija.
Fjala “wassail” vjen nga përshëndetja mesjetare wæs hæil, që do të thotë “të jesh me shëndet të mirë”. Ajo përfaqëson një rit të vjetër, që ndër shekuj është praktikuar në dy forma kryesore: këndim për pemët frutore dhe këndim derë më derë.
Në të ashtuquajturin orchard wassailing, banorët mblidheshin në pemishte për të larguar shpirtrat e këqij dhe për të siguruar një korrje të bollshme. Traditat përfshinin këndime ceremoniale, trokitje me enë metalike dhe derdhjen e mushtit të mollës në rrënjët e pemëve.
Një zakon tjetër, i njohur që nga Mesjeta, përfshinte fshatarë që shkonin nga një shtëpi fisniku në tjetrën me një kupë wassail në dorë, duke bërë dolli për shëndetin e pronarëve në këmbim të ushqimit apo dhuratave.
Edhe pse origjina e kësaj tradite mendohet të jetë parakristiane, ajo lidhet gjithashtu me festën e Natës së Dymbëdhjetë, që shënon fundin e sezonit të Krishtlindjeve. Edhe pija vetë kishte variante të ndryshme: përgatitej me verë, birrë ose musht, dhe në disa raste përzihej me krem dhe vezë.
Me kalimin e shekujve, wassailing njohu rënie, veçanërisht gjatë shekullit XX. Megjithatë, që nga fillimi i viteve 2000, kjo traditë ka përjetuar një ringjallje të fortë, jo vetëm në fshatra angleze me histori shekullore, por edhe në qytete moderne pa lidhje të drejtpërdrejtë me ritualin e lashtë.
Sot, njerëzit mblidhen me këngë, pishtarë dhe muzikë popullore për të përzënë energjinë negative të dimrit dhe për të festuar kthesën e stinëve, duke ruajtur një ndjenjë identiteti dhe trashëgimie kulturore./MXH
