Last Updated on 16/01/2026 by Monika
Kanadaja dhe Kina kanë arritur një marrëveshje paraprake tregtare për uljen e tarifave dhe heqjen e disa barrierave, me synim përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
Lajmi u bë i ditur të premten, më 16 janar, nga kryeministri kanadez Mark Carney, gjatë një vizite zyrtare në Pekin, e konsideruar si përpjekje për të riparuar raportet mes Otavës dhe Pekinit.
Carney njoftoi se Kanadaja do të ulë tarifat doganore në 6.1 për qind për deri në 49 mijë automjete elektrike kineze, duke tërhequr tarifën 100 për qind që ishte vendosur në vitin 2024. Po ashtu, marrëveshja parashikon lehtësimin e barrierave tregtare për eksportet bujqësore kanadeze, përfshirë vajin e kanolës.
“Ky partneritet strategjik krijon stabilitetin dhe sigurinë e nevojshme për investime të reja dhe mundësi për punëtorët tanë,” u shpreh Carney gjatë Banketit të Tregtisë dhe Investimeve Kanada–Kinë, duke vlerësuar rolin e komunitetit të biznesit dhe arsimit për ruajtjen e bashkëpunimit edhe në vite të vështira.
Nga ana e tij, presidenti kinez Xi Jinping e cilësoi marrëveshjen si një rrugë drejt zhvillimit “të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe afatgjatë” të marrëdhënieve mes dy vendeve. Carney falënderoi gjithashtu presidentin Xi për vendimin për udhëtim pa viza për qytetarët kanadezë, duke theksuar ndikimin pozitiv në turizëm dhe shkëmbime kulturore.
Duke e quajtur marrëveshjen një “kapitull të ri” në raportet Kanada–Kinë, kryeministri kanadez u bëri thirrje të dy vendeve që të ecin përpara me projekte konkrete, duke thënë: “të ndërtojmë fort dhe të ndërtojmë tani.”/mxh
