Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Një studim i kryer së fundmi nga Healthy Florida First ka zbuluar se disa karamele, ndër më të preferuarat e amerikanëve e jo vetëm, kanë nivele të rrezikshme arseniku.
Studimi testoi 48 karamele të njohura dhe zbuloi se 28 prej tyre përmbanin atë që autorët e përshkruan si nivele toksike të arsenikut.
Shefi i Përgjithshëm i Shëndetit të Floridës, Joseph Ladapo, iu bashkua guvernatorit dhe zonjës së parë në konferencën për shtyp dhe falënderoi ata për mbështetjen në kryerjen e testeve.
“Ka shumë për të zbuluar. Fatkeqësisht, ka shumë pisllëk për të gjetur,” tha Ladapo.
Arseniku është një element natyral. Ai është një kancerogjen i konfirmuar dhe ekspozimi afatgjatë mund të rrisë rrezikun për kancer të lëkurës, fshikëzës, mushkërive dhe mëlçisë. Kanceri i veshkave dhe prostatës mund të lidhet gjithashtu me nivele të larta arseniku.
Arseniku është “kudo” dhe “në të gjitha ushqimet,” tha Ladapo, por shtoi se zakonisht është në përqendrime të ulëta.
“U trondita vërtet nga nivelet e arsenikut në karamelat e zakonshme, nivelet e arsenikut ishin dy, tre, katër herë më të larta se edhe ushqimet që e dimë se zakonisht përmbajnë arsenik të lartë, si orizi,” tha ai. “Dhe krahasuar me ushqime tipike që konsumojnë njerëzit, nivelet e arsenikut ishin 20, 30, 40 herë më të larta. Thjesht është e pabesueshme.”/A.D

