Qindra studentë serbë u përplasën këtë të martë, më 31 mars, me policinë gjatë një proteste kundër një kontrolli policor në zyrat e Universitetit të Beogradit, i cili ndezi tensionet mes autoriteteve dhe aktivistëve antiqeveritarë që kanë shpërthyer për më shumë se një vit.
Reuters shkruan se turmat në qendër të Beogradit u përleshën shkurtimisht me policinë, e cila përdori shkopinj gome për të shpërndarë demonstruesit që brohorisnin “qen” dhe “tradhtarë”.
Policia tha se kontrolli në universitet ishte pjesë e një hetimi mbi vdekjen e një studenteje 25-vjeçare të premten e kaluar, pasi ajo ra nga një dritare në një fakultet aty pranë.
Rektori i Universitetit, Vladan Djokic, më vonë u tha protestuesve se policia kishte hyrë në ndërtesë pa një shpjegim ligjor të vlefshëm, duke kërkuar dokumente dhe kishte sekuestruar kompjuterët.
“Ju mund të bastisni ambientet e universitetit, por nuk mund të bastisni ndërgjegjen e njerëzve,” u tha ai turmës që brohoriste.
Drejtori i policisë serbe, Dragan Vasiljevic, tha se oficerët vepruan mbi bazën e një urdhri gjykate kur hynë në zyrat e universitetit për të kërkuar prova lidhur me vdekjen e studentes.
Ai tha në një konferencë për shtyp në Beograd se policia kishte gjetur fishekzjarre, radiomarrëse, maska gazi, pankarta dhe mjete ndihme të parë gjatë kontrollit.
Protestat antiqeveritare kanë përfshirë Serbinë që nga dhjetori 2024, kur 16 persona humbën jetën nga shembja e një çatie në një stacion treni në qytetin verior Novi Sad.
Vitin e kaluar, studentët protestues okupuan fakultete universitare në shumë pjesë të vendit, përfshirë ndërtesën kryesore të administratës së Universitetit të Beogradit.
Protestuesit, liderët e opozitës dhe organizatat e të drejtave të njeriut kanë akuzuar presidentin populist serb Aleksandar Vuçiç dhe aleatët e tij për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe shtypje të lirive të medias. Vuçiç dhe aleatët e tij i kanë mohuar akuzat./kb
