Trafiku në akset kombëtare të juglindjes ka shkaktuar makth dhe panik te qytetarët. Fundi i vitit dhe nisja e vitit të ri u kthyen në një tmerr për drejtuesit e mjeteve që kanë udhëtuar nga Hotolishti drejt Tiranës.
Qytetarët janë përballur me orë të tëra në trafik, të bollkuar së bashku me familjarët e tyre që pas festave në juglindje po ktheheshin drejt kryeqytetit për të vijuar me përditshmërinë e tyre, duke i kthyer ato pak ditë pushimi në një kaos.
Një nga shkaqet e bllokimit të qarkullimit të automjeteve, sidomos në aksin Librazhd-Elbasan është rindërtimi i pjesëve të rrugës që po bëhet në këto segmente.
Por kjo mund të bëhej lehtësisht e menaxhueshme, duke mjaftuar vetëm një kamion me zhavorr për të mbushur gropat.
Një tjetër problematikë është mungesa e Policisë Rrugore në akset kombëtare të juglindjes. Nga verifikimet e kryera nga CNA, përgjatë ditës së djeshme nga Hotolishti në Tiranë nuk ka patur prani të asnjë patrulle policie rrugore për të menaxhuar kaosin e krijuar nga trafiku.
Asnjë njoftim mbi trafikun e rënduar me orë të tëra në këto akse, asnjë masë e bërë publike, Policia Rrugore ishte inekzistente.
Për të shmangur të gjithë atë kaos të krijuar nga trafiku do të mjaftonte ndalimi i qarkullimit të mauneve në pikun e lëvizjes së automjeteve për të shmangur orët e gjata në trafik dhe vështirësitë në qarkullim.
Policia Rrugore ishte e papërgjegjshme duke lënë në mëshirë të fatit qytetarët me familjarët e tyre mes trafikut të bllokuar me orë të tëra në temperaturat e ulta.
Sot pritet e njëjta situatë që mund të përsëritet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në aksin Elbasan-Tiranë për shkak të fluksit të madh të mjeteve që kanë shkuar në juglindje për festat e fundvitit.
Ajo që ka ndodhur dje ka qenë e turpshme. Policia Rrugore nuk ka qenë në terren në asnjë centimetër nga aksi Hotolishti deri në Labinot ku ka qenë piku më i madh i trafikut dhe automjeteve i është dashur 3-4 orë për ta përshkruar këtë segment rrugor./K.M
