Mënyra si nis dita mund të ndikojë më shumë nga sa mendojmë te shëndeti i zemrës. Pas më shumë se 20 vitesh duke trajtuar pacientë me infarkt, kardiologu Dr. Sanjay Bhojraj thotë se orët e para të mëngjesit janë një periudhë veçanërisht e ndjeshme për organizmin, pasi trupi kalon nga gjendja e pushimit në atë të aktivitetit.
Sipas tij, në mëngjes ndodhin ndryshime të rëndësishme fiziologjike: rriten nivelet e kortizolit, shtohet presioni i gjakut dhe ndryshon ritmi i zemrës. Studime të shumta kanë treguar se episodet kardiovaskulare, përfshirë infarktet dhe vdekjet e papritura nga zemra, kanë tendencë të jenë më të shpeshta në orët e para pas zgjimit.
Për këtë arsye, kardiologu thotë se zgjedhjet që bëjmë sapo hapim sytë, nga ushqimi dhe pijet deri te mënyra si përballemi me stresin,mund të ndikojnë në shëndetin afatgjatë të zemrës.
1. Kafe me shumë sheqer
Një nga gjërat që Dr. Bhojraj shmang në mëngjes janë pijet e ëmbla me kafeinë, si kafetë e mëdha me shije të ndryshme.
Sipas tij, disa prej tyre mund të përmbajnë 30-50 gramë sheqer, duke shkaktuar një rritje të shpejtë të glukozës në gjak dhe të insulinës. Kjo mund të krijojë stres metabolik dhe të shkaktojë uri vetëm pak orë më vonë.
2. Ëmbëlsirat e mëngjesit
Kroasantët, muffinët dhe produktet e ngjashme mund të duken si një zgjedhje e shpejtë për mëngjes, por kardiologu paralajmëron se ato zakonisht përmbajnë shumë karbohidrate të rafinuara dhe yndyra të ngopura, ndërsa mungojnë proteinat dhe fibrat.
Kjo shkakton një rritje të shpejtë të sheqerit në gjak, e ndjekur nga një rënie energjie.
3. Mishrat e përpunuar
Proshuta, sallami, salsiçet dhe produktet e tjera të mishit të përpunuar janë një tjetër kategori që kardiologu nuk e konsumon rregullisht në mëngjes.
Ato shpesh kanë përmbajtje të lartë kripe dhe yndyrash të ngopura, ndërsa disa përmbajnë nitrate dhe konservues që janë lidhur me rrezik më të lartë për probleme kardiovaskulare kur konsumohen shpesh.
4. Pijet energjike
Për Dr. Bhojraj, kjo është një nga zgjedhjet që duhet shmangur patjetër.
Pijet energjike përmbajnë sasi të larta kafeine, sheqeri dhe stimulues të tjerë që mund të rrisin rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut. Te disa persona, ato mund të ndikojnë edhe në ritmin e zemrës, veçanërisht në mëngjes kur organizmi është tashmë në një proces natyral aktivizimi.
5. Të mos hash fare, sidomos kur shoqërohet me stres dhe kafe
Kardiologu thekson se anashkalimi i mëngjesit nuk është domosdoshmërisht i dëmshëm për të gjithë. Por problemi lind kur mungesa e ushqimit shoqërohet me stres, kafe me stomak bosh dhe një ritëm të ngarkuar që në orët e para të ditës.
Sipas tij, shumë pacientë kalojnë mëngjesin duke funksionuar vetëm me adrenalinë, duke pirë kafe pa ngrënë dhe duke nisur menjëherë punën. Kjo mund të çojë në luhatje të sheqerit në gjak dhe mbingarkesë të sistemit nervor.
Rutina e mëngjesit që rekomandon kardiologu
Dr. Bhojraj thotë se një mëngjes i shëndetshëm nuk kërkon perfeksion, por qëndrueshmëri. Ai rekomandon kombinimin e:
- proteinave;
- fibrave;
- hidratimit;
- një fillimi më të qetë të ditës.
Në rutinën e tij përfshihen ushqime si vezët me fruta, kosi grek me manaferra dhe arra, ose tërshëra me fara chia. Gjithashtu, ai pi ujë përpara kafesë dhe përpiqet të mos e nisë ditën menjëherë me stimulues.
Sipas tij, edhe disa minuta frymëmarrje të qetë, ekspozim ndaj dritës së diellit, shtrirje ose një ecje e shkurtër mund ta ndihmojnë trupin të kalojë më lehtë nga pushimi në aktivitet./ad
